VV-ja dorëzon kallëzim penal: Ahmeti duhet të përgjigjet ku janë 530 mijë euro

Prishtinë | 08 Jan 2019 | 11:49 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Aktivistë të Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë dorëzuan në prokurori kallëzimin penal ndaj kryetarit të Komunës së Prishtinës për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe për lidhje të kontratës së dëmshme.

Me këtë rast aktivisti Valdrin Ahmeti tha se në prokurori kanë dorëzuar kallëzimin penal ndaj kryetarit të Komunës së Prishtinës për keqpërdorim të 530 mijë euro në tenderin për furnizim me qumësht për nxënësit e klasëve I-V.

Ahmeti tha se nga viti 2017 ka pas rritje të çmimit të këtij tenderi prej 530 mijë euro me të njëjtën sasi të qumështit dhe periudhe të njëjtë kohore.

Sipas tij, në 2017 këtë tender e kishte fituar kompania “Devolli shpk”, ndërsa 2018 kompania “Abrazen” e cila e ka të njëjtin pronar.

“Para disa ditësh përmes një konference për media ngritëm dyshimin për keqpërdorim në tenderin për furnizim me qumësht për nxënësit e klasëve I-V. Pas kësaj konference pasuan reagime të shumta të zyrtarëve komunal deri te kryetari i Komunës i cili paralajmëroi se do të na padisë për shpifje”.

“Sapo dorëzuam në prokurori kallëzimin penal ndaj kryetarit të Komunës së Prishtinës për keqpërdorim të 530 mijë € në tenderin për furnizim me qumësht për nxënësit e klasave I-V. Më lejoni ta paraqes para jush njoftimin për kontratë që Komuna e Prishtinës e ka bërë në vitin 2016, me datë 27 shtator, ku në specifikacionet e tenderit shihet qartë se vlera e parashikuar e tenderit, është 200 mijë euro. Saktësisht në parashikimin e Komunës së Prishtinës oferton ‘Devolli group’ sh.p.k. e cila e fiton tenderin me 200 mijë euro”.

“Komuna njofton për dhënie të kontratës më datë 31 tetor 2016 dhe njofton për nënshkrim të kontratës me datë 1 dhjetor 2016. Këtu po flasim për tenderin për furnizim me qumësht për klasat I-V për vitin 2017”.

“Në vitin 2017, saktësisht në datë 5 tetor, Komuna e Prishtinës publikon njoftimin për kontratë, ku çuditërisht, vlera e parashikuar e tenderit nga 200 mijë euro sa ishte në vitin paraprak, bëhet 730 mijë euro. Njoftimi publikohet përsëri më 30 tetor si ritenderim me të njëjtën vlere të parashikuar të tenderit”.

“Nuk kemi të bëjmë me rritje të çmimit, as dyfishim. Vlera e parashikuar e tenderit është rritur për 530 mijë euro nga ana e Komunës së Prishtinës. Nuk po flasim për ofertën që është dorëzuar nga një apo disa operatorë ekonomik. Po flasim për dokumentin që e ka përpiluar Komuna e Prishtinës. Pra Komuna e Prishtinës ka parashikuar rritje prej 365 % të vlerës së tenderit. Vetëm rritja është 365% e vlerës së tenderit, apo 530 mijë euro”.

“Kësaj radhe tenderin nuk e fiton më ‘Devolli Group’ sh.p.k. por tash e fiton kompania me emërtimin ‘Abrazen’. Me datë 28 dhjetor 2017, Komuna e Prishtinës lëshon njoftimin për dhënie të kontratës kësaj kompanie, përderisa më 23 janar 2018 lëshon njoftimin për nënshkrim të kontratës. Kompania ‘Abrazen’ e fiton tenderin si ofertues i vetëm me çmim 733.698,00 euro. Pra vetëm 3 698 euro më shumë së parashikimi i Komunës së Prishtinës. Si arriti me kaq saktësi Komuna ta parashikojë ofertën e kompanisë ‘Abrazen’, përvese nëse nuk janë marrë vesh më herët”.

“Pas konferencës sonë u ngritën shumë dyshime në lidhje me kohëzgjatjen e kontratës dhe sasinë e qumështit. Kontratat siç mund ta shihni janë të dyjat një vjeçare, dhe sasia në të dy vitet është e njëjtë. Dhe nuk po flasim për vitin 2014, që sipas zyrtarëve komunalë vetëm është testuar shpërndarja e qumështit por po flasim për vitet 2017 dhe 2018, ku në tender nuk ka asnjë ndryshim të sasisë. Pra me të njëjtën sasi në vitin 2017 është 200 mijë euro. Në vitin 2018 është 733.698,00 euro pra dallimi është 533 698 euro”.

“Nëse kontrolloni të dhënat zyrtare, fillimisht kompani ‘Abrazen’ është regjistruar në Kosovë me kapital fillestar nga Malta, që njihet si një nga parajsat fiskale, e nëse gjurmojmë edhe më thellë gjejmë se ‘Abrazen LTD’ me bazë në Maltë është kompani me aksione të fondeve të ardhura edhe nga Anguila, poashtu një nga vendet që njihet si parasjat fiskale”.

“Më e rëndësishmja është që në 2 rastet, pronarët e vërtetë janë vëllezërit Devolli. Për më shumë drejtori i ‘Devolli group’ sh.p.k. Ernest Jusufi del të jetë edhe anëtar bordi në kompaninë ‘Abrazen’ në Kosovë. Zyrtarët tjerë të ‘Abrazen’ janë të lidhur të gjithë me Devollin, disa si ish-drejtor të qumështores VITA, disa si anëtar bordi në Z-Mobile”.

“Me këtë ndryshim në tender nga viti në vit, Shpend Ahmeti ka dëmtuar buxhetin e Komunës së Prishtinës për mbi 530 mijë euro. Shpend Ahmeti duhet të mbajë përgjegjësi publike morale e politike para qytetarëve të Prishtinës e gjithë Kosovës për këto 530 mijë euro, por pas këtij kallëzimi penal ai duhet të mbajë edhe përgjegjësi penale për këtë keqpërdorim flagrant të parasë publike”.

“Shpend Ahmeti duhet të tregojë ku janë 530 mijë euro? Çfarë borxhi i ka Shpend Ahmeti – Devollëve që i ka shpërblyer me 530 mijë euro? Dallaveret e PDK-së me tenderët nëpër varrezat e dëshmorëve si duket tash po marrin formë të re të dallavereve me tender në qumështin për fëmijët nëpër shkolla fillore”.

Të ngjashme