Vetëvendosje dorëzon padi ndaj NPB-së, për keqpërdorimet në ndërtimin e objektit në vlerë 120 milionë €

Prishtinë | 08 Gus 2022 | 11:38 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Lëvizja Vetëvendosje dega në Prishtinë ka dorëzuar padi kundër Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB), lidhur me dyshimet për keqpërdorime për ndërtimin e objektit afaristo-banesor në lagjen “Lakrishte”, raporton Ekonomia Online.

Kjo parti iu drejtua Gjykatës Themelore në Prishtinë me padi për anulimin e kontratës “Kontratë për ndërtimin e objektit të përbashkët banesorë afarist” dhe kërkesë për masë sigurie ndaj: NPB-së, Sh.P.K, Made Group Construction, Sh.P.K, Arkos Sh.P.K dhe Madekos Sh.P.K.

Egzon Azemi, u ka bërë thirrje organeve të drejtësisë që ta shqyrtojnë sa më parë këtë padi.

Sipas tij, për projektin milionësh në lagjen “Lakrishtë”, vetëm se po cenohet interesi i qytetarëve.

Azemi shtoi se projekti i ndërtimit të këtij kompleksi është përcjellë me parregullsi të mëdha.

“I bëjmë thirrje organeve kompetente që ta trajtojnë me prioritet këtë lëndë sepse rreziku që po i kanoset pasurisë publike është shumë i lartë”.

“NPB pa asnjë njoftim ose diskutim paraprak hapi thirrjen për investim në ndërtim në pronën publike. Shpallja e pa vulosur e paprotokulluar zgjati më pak se tre ditë që vlera e saj është 120milionë euro”, tha Azemi.

Ai bëri të ditur se krahas padisë, është dorëzuar edhe kërkesa për caktimin e masës së përkohshme, për mos zbatim të kontratës së nënshkruar në mes të NPB-së dhe kompanive private.

Azemi ndër të tjera, përmendi edhe shkelje të shumta ligjore, që sipas tij kanë filluar qysh nga hapja e thirrjes për investim në pronën publike, ku nuk kishte as njoftim apo diskutim publik.

Azemi listoi 6 shkeljet kryesore të këtij projekti:

  1. NPB pa asnjë njoftim ose diskutim paraprak hapi thirrje për investim në ndërtim të lartë në pronën publike. Kur NPB lëshon lokale me qera afati për aplikim zgjatë 15 ditë, ndërsa te ky projekt që është më i madhi në historinë e ndërmarrjes u caktuan vetëm 3 ditë, dhe shpallja ishte e pa vulosur dhe e pa protokolluar.
  2. Kompania fituese “Made Group Construction” u themelua vetëm 1 ditë para aplikimit, dhe fitoi projektin me vlerë minimale 120 milion euro.
  3. Pse ishte kaq i ngutshëm ky veprim? Pse nuk ishte afati më i gjatë që të aplikojnë më shumë kompani? A nuk është në interesin e Ndërmarrjes dhe a nuk do t’i rritej vlera pronës, nëse do të kishte më shumë të interesuar për të?
  4. NPB nuk na dha qasje në dokumentet rreth këtij projekti. Me datë 1 Korrik, në përgjigjen ku u refuzuam, NPB deklaroi se ende nuk ka përfunduar marrëveshja – ndërkohë, pak më vonë, doli se kontrata ishte nënshkruar 3 javë më herët!
  5. NPB dhe këto kompani të dyshimta, po rrënonin pa asnjë kriter mbrojtës azbestin kancerogjen, 10 metra larg Gjimnazit “Xhevdet Doda”, 20 metra larg ndërtesave kolektive ku banojnë mijëra qytetarë të Lakrishtës. Pas analizave që u zhvilluan në një laborator Gjerman doli se ky azbest ishte i shkallës së 3-të për nga niveli i rrezikshmërisë. Pra i rrezikshmërisë së lartë.
  6. Pas gjithë këtyre shkeljeve në Ndërmarrjen Publike Banesore, Bordi i NPB-së, i përbërë nga Lendita Mekuli Myderrizi, Arbnora Jashanica, Xhevdet Leci dhe Bekim Pireva, më 15 tetor, me vota unanime, kishte vendosur për shkarkimin e kryeshefit ekzekutiv të NPB-së, Hajdar Hoxhaj anëtar i PSD-së, por shkarkimi nuk u lejua të protokollohej nga vet ai dhe vartësja e tij që e ka mbajtur vulën e protokollimit në mënyrë të paligjshme.

Kurse Arianit Beqiri asamblisti i VV-së në Prishtinë, tha se kjo padi vjen pas një skandali 1-vjeçar nga NPB-ja.

Sipas tij, një gjë të tillë ata kishin provuar që ta diskutojnë edhe në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal por që sipas tij, kjo gjë u refuzua nga pushteti lokal.

“Bëhet fjalë për mbi 17 mijë m2 në pronë publike në mes të kryeqytetit, në një nga zonat më të mira, të cilën po duan ta tjetërsojnë pronësinë nga publike në private dhe në emër gjoja të bashkëpunimit të projekteve të ndërmarrjes banesore, në fakt po synohet përfitimi i paligjshëm pasuror nga prona e përbashkët publike e qytetarëve të Prishtinës”, tha Beqiri.

Ai shtoi se projekti në fjalë që është i llogaritur si objekt afarist e banesorë së bashku me pronën publike që do të shfrytëzohet e kalon vlerën e 120 milionë eurove.

“Prandaj ne sot kërkojmë edhe nga kjo gjykatë që të anulohet kjo kontratë me titull “Kontratë për ndërtimin e objektit të përbashkët banesorë afarist dhe që të paditurit Made Group Construction Sh.P.K, Arkos Sh.P.K dhe Madekos Sh.P.K, ti lirojnë njerëzit, sendet dhe objektet në afatin prej 15 ditësh dhe të njëjtit të i’a dorëzojnë NPB-së”, tha Beqiri.

Të ngjashme