Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje është zgjedhur kryetar i Kuvendit të legjislaturës së tetë.
Menjëherë pas kësaj, kryetari i VV-së, Albin Kurti, ka thënë se pret nga Glauk Konjufca që ta sjellë ftesën për formimin e Qeverisë.
“Pres ta sjellë ftesën për formimin e Qeverisë si mandatar i ardhshëm. Emrat e ministrave unë i di, së shpejti i merrni vesh edhe ju”, ka thënë Kurti.
Klankosova.tv ka kontaktuar zëdhënësin e VV-së, Arlind Manxhukën, për ta pyetur se në cilën orë do të mbahet seanca për formimin e Qeverisë Kurti 2, mirëpo i njëjti ka thënë se ende nuk dihet.
“Është çështje e grupeve parlamentare që të mblidhen dhe ta caktojnë kohën për seancën për formimin e qeverisë së re. Ende nuk është caktuar koha”.
Kujtojmë se sot para se të votohet legjislatura e re, zyrtarë të VV-së kanë deklaruar se qëllimi i tyre është që sot të zgjidhjet edhe e Qeveria e re.