Lëvizja Vetëvendosje (VV) është duke përgatitur protestë masive për rrëzimin e Qeverisë.
Glauk Konjufca, shef i Grupit Parlamentar të VV-së i tha Ekonomia Online, se pakënaqësia qytetare po rritet çdo ditë ndaj Qeverisë së udhëhequr nga Ramush Haradinaj.
Kjo ngase sipas tij, qytetarët po përballen me një nga qeverisjet më të dobëta, me një arrogancë të pushtetit i cili haptas e arsyeton nepotizmin dhe keqpërdorimet.
“Varet prej vullnetit të qytetarëve. VV do jetë gjithmonë e gatshme dhe këtu në Kosovë për të lehtësuar shprehjen e pakënaqësisë së qytetarëve me zhvillimet dhe ne mendojmë që tashmë po rriten çdo ditë e më shumë arsyet që qytetarët e Kosovës të dalin dhe në mënyrë masive të shprehin pakënaqësinë e tyre. Kështu që pikërisht për këtë arsye po krijohen të gjitha rrethanat e duhura që në Kosovë të ketë një protestë masive”.
“Unë mendoj që qytetarët e kanë përballë njërën prej qeverisjeve më të dobëta që e ka pas Kosova ndonjëherë, me një arrogancë të pushtetit i cili haptas e arsyeton nepotizmin dhe keqpërdorimet që i bëjnë. Kështu që duke pas parasysh edhe pasionin e madh të qytetarëve nga kjo gjendje që ta lëshojnë vendin e tyre”.
Sipas tij, mes përcaktimit për ta lëshuar vendin dhe daljes në protesta për rrëzimin e Qeverisë, të rinjtë duhet të zgjedhin këtë të fundit.
“…unë mendoj që mes përcaktimit se a ta lëshojnë Kosovën, të braktiset vendi apo më mirë të organizohemi dhe të dalim e ta shprehim pakënaqësinë tonë nëpër sheshe, mendoj që po rritet gjasa gjithnjë e më shumë e kësaj të dytës. Pra që qytetarët e organizuar të dalin masivisht që t’i japin fund një qeverisje të tillë”.
Kjo parti ka filluar organizimin e tubime me qytetarët “PANhajnia”. Konjufca thotë se vërehet një pjesëmarrje e kënaqshme në kundërshtim të keqqeverisje e cila po dëmton vendin.
“Organizimi deri tash po shkon shumë mirë. Nëse keni mundë me përcjell dhe keni pas rastin me pa, atëherë vërehet një pjesëmarrje e kënaqshme e qytetarëve, kryesisht flitet për korrupsionin, hajninë dhe keqpërdorimet që po ndodhin në qeverisjen aktuale, por edhe në përgjithësi për zhvillimet politike në vend”.
“Kështu që pasi e kemi caktuar një seri të këtyre tubimeve mendojmë që këto pasi të përfundojnë atëherë do të jemi të gatshëm ta vlerësojmë gjendjen më mirë dhe në atë moment me caktuar ndoshta edhe një protestë për me i ftuar qytetarët e Kosovës në kundërshtim të kësaj keqqeverisje e cila po dëmton vendin shumë”.
Konjufca thotë se deri tani nuk kanë qenë rrethanat e përshtatshme për inicim e mocionit tw mosbesimit për rrëzimin e Qeverisë, ngase siç thotë ai janë mbledhur deri në 57 nënshkrime, e që janë të pamjaftueshme.
“Me krejt nënshkrimet që kanë qenë dhe që i kemi grumbulluar deri tash, ka shkuar diku deri te 56 apo 57 nënshkrime, edhe me ata të PSD-së. Ka qenë njëfarë lloj disponimi apo pajtueshmëri e përgjithshme që nuk do t’ia vlente një mocion eksperimental i cili do dihej paraprakisht do të dështonte”.
Ai thotë se koalicioni momentalisht është i paqëndrueshëm, duke filluar nga mospajtimet rreth taksës e deri të dialogu me Serbinë, prandaj në këtë kohë ai konsideron se janë gjasat reale që të Qeveria të rrëzohet.
“Mirëpo me rritjen e zërave të deputetëve të cilët janë në taborin e mazhorancës, paqëndrueshmëria e koalicionit qeveritar dhe përplasjet që ata vetë i kanë brenda, pra mospajtimet duke filluar prej tarifës e deri te dialogu me Serbinë na shtyjnë të mendojmë që kjo është një Qeveri që nuk mund të qëndrojë dhe që një mocion i mosbesimit do t’i kishte gjasat reale në këtë konstipacion aktual politik i cili ekziston brenda Kuvendit të Kosovës”.
Ai propozon një riorganizim të pakicës serbe në Kosovë. Proces që sipas tij, do të kishte mundësi të ndodhte vetëm pas zgjedhjeve të reja. Rolin e Listës Serbe në proceset në vend ai po e sheh vendimtare e kjo për fajin e udhëheqësve vendës.
“Ky për neve nuk është problem i madh për shkak që ata faktikisht janë duke qeverisur me Listën Serbe. Kështu që ata janë krijues të Listës Serbe. Në të vërtetë unë mendoj që krejt një proces i ri politik i cili duhet të filloj dhe i cili duhet ta prekë edhe një riorganizim të vetë pakicës serbe në Kosovë është një proces i cili do të kishte mundësi të ndodhte vetëm pas zgjedhjeve të reja në Republikën e Kosovës”.
“Me këtë konstipacion politik ku Lista Serbe është krijuar gjatë negociatave të Brukselit dhe ka pas një monopolizim të jetës politike nga ta, po i shihni rezultatet, d.m.th ne u detyruam edhe ushtrinë ta krijojmë jo përmes Kushtetutës sepse ishte e pamundshme, po përmes ligjeve, me ç’rast kushtetuta mbeti e paprekshme”.