Lëvizja Vetëvendosje ka kritikuar institucionet e drejtësisë për moszbardhjen e rastit të Astrit Deharit.
Sipas tyre ky rast duhet të ndriçohet dhe se përgjegjësit duhet të marrin përgjegjësi.
Xhelal Sveqla ka thënë se në kohën kur u arrestua Astrit Dehari dhe aktivistët tjerë të VV-së, në Kosovë po kundërshtohej “Zajednica” dhe Demarkacioni me Malin e Zi”.
“Ngjarjet e vitit 2015-2016 ishin ato të kundërshtimeve masive qytetare e opozitare të prira nga Lëvizja Vetëvendosje ndaj ‘Zajednicës’ që e ndan Kosovën në vija etnike dhe Demarkacionit që na i humbi 8200 hektarë. Përball nesh, prej vjeshtës së vitit 2015 deri në gushtin e vitit 2016, qëndroi pushteti, i cili me gjithë makinerinë e represionit ushtroi dhunë të shfrenuar duke arrestuar e burgosur arbitrarisht aktivistët e Lëvizjes, në mesin e të cilëve edhe Astritin dhe pesë aktivistët e tjerë.”
Sveçla po ashtu kujtoi se Astrit Dehari u mbajt për 78 ditë në burg pa u marrë asnjëherë në pyetje nga organet e rendit që përbën shkelje të të drejtave të njeriut, si dhe përpjekjen e pushtetit asokohe për t’i fshehur gjurmët e këtij krimi.
“Prej vrasjes së Astritit e pastaj edhe përpjekjeve për mbulimin e gjurmëve te vrasjes, deklaratave kontradiktore e zhdukjeve të dëshmive materialeve, dëshmive të dëshmitarëve si dhe të vet dëshmitarëve, pamë një mobilizim kriminal prej ish-ministres së Drejtësisë të asaj kohe, prokurorëve e krerëve të shërbimit korrektues dhe policisë. Kulmi ishte kërcënimi i ekspertëve të jashtëm me aktakuzë vetëm e vetëm se ata thanë një të vërtetë. Tash edhe tentativat për sabotimin e procesit të hetimeve në të cilin proces janë përfshirë ekspertë të institutit ligjor të Lozanës. Por nuk kanë për t’ia dalë. Dhe patjetër që ky proces do të shkojë deri në fund dhe jo vetëm vrasësit por edhe ideatorët, nxitësit, urdhërbartësit e urdhërdhënësit duhet të vihen para drejtësisë”, tha ai.
Ndërsa Albulena Haxhiu nga kjo parti, tha se ata kanë kërkuar që ky rast të hetohet nga Prokuroria Speciale, por që edhe pas 4 vjet të vdekjes së Deharit nuk ka rezultate.
“Prej momentit kur është publikuar raporti i Institutit Zviceran, duke pasur parasysh që prokuroria e Prizrenit, konkretisht Sylë Hoxha, kishte paragjykuar rastin e Astritit dhe kishin dhënë deklarata që ka qenë vetëvrasje, pas raportit të Institutit zviceran, ne kemi kërkuar që rasti të transferohet në prokurorinë speciale por qëllimi i kërkesës tone ka qene që prokuroria speciale të trajtonte e hetonte në detaje rastin, pa ndikime, me seriozitet dhe profesionalizëm. Por ja ku jemi sot, katër vjet pas vrasjes së Astritit dhe një vit nga koha kur ky rast i ka kaluar Speciales, ende mungon drejtësia për Astrit Deharin.”
Tutje, Haxhiu tha se përmes kësaj konference i bëhet thirrje institucioneve të drejtësisë për trajtim të duhur e të pandikuar të rastit Dehari, si dhe ndërprerjes së përndjekjes ndaj aktivistëve që padrejtësisht akuzohen për rastin e inskenuar të Kuvendit. Ajo falënderoi shtetin Zviceran për mbështetjen, konkretisht Institutin Zviceran për ndihmën e ofruar në zbardhjen e rastit.
“5 vjetori i vrasjes së Astritit nuk do të duhej të na gjente me kërkesën për drejtësi. Në 5 vjetorin e vrasjes së Astritit, drejtësia do të duhej të shkonte në vend. Përgjegjësit për Astritin kanë emër e mbiemër. Prokuroria Speciale duhet ta bëj punën e saj,” tha ajo, duke kujtuar ftesën e bërë që sot nga ora 20:00 të ndizen qirinj nëpër shtëpitë/banesat e qytetarëve në kujtim të jetës dhe veprës së Astrit Deharit.