VV: Kushtetuta po shkelet pikërisht nga ata që thirren në emër të saj

Prishtinë | 09 Pri 2018 | 13:24 | Nga Donika Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Lëvizja Vetëvendosje mbajti konferencë për media lidhur me 10-vjetorin e Kushtetutës së Republikës të Kosovës.

Albulena Haxhiu, anëtare e Lëvizjes Vetëvendosje, tha se kushtetuta e vendit u shkel pikërisht nga ata që thirren në emër të kushtetutës.

Ajo tha se Kushtetuta e Kosovës po shkelet edhe nga të gjitha qeveritë që nuk arritën të themelojnë ushtrinë, duke mos përjashtuar asnjë qeveri, raporton Ekonomia Online.

Po ashtu Haxhiu tha se këtë javë në Kuvend do të dërgohet projektligji për referendum.

“Në dekadën e parë të kushtetutës nuk kemi se si mos të theksojmë pengesat e vazhdueshme të kushtetutës që është kompromis dhe jo shprehje e vullnetit publik.

Janë edhe 10 vende të garantuara për përfaqësuesit serbë në Kuvend që pamundësojnë çdo ndryshim pozitiv. Viteve të fundit është më e rëndë se pjesë e Kuvendit është një subjekt politik që është dirixhim i Beogradit dhe po pamundëson zhvillimin e vendit. Kemi parë se ligje të ndryshme ka qenë e pamundur të kalojnë, këto ligje pa bërë pazare me Listën Serbe dhe kanë mbetur të pamiratuara nga kundërshtimet e përfaqësuesve serbë. Ende nuk kemi parë asnjë iniciativë të asnjë qeverie për të dërguar ligjin për referendum, ne e kemi draftuar dhe do ta kalojmë në Kuvend këtë javë ligjin për referendum”.

Qeveria Thaçi, Veseli, Mustafa, Haradinaj kanë premtuar se do ta kemi ushtrinë, kemi pengesa nga Beogradi për ta themeluar ushtrinë dhe nuk kemi pasur iniciativë as nga qeveritarët për të themeluar këtë.

“Ata që thirren në emër të Kushtetutës e kanë shkelur më së shumti atë”, ka shtuar Haxhiu.

Deputeti nga LVV, Sami Kurteshi, tha se çdo shkelje e Kushtetutës përbën cenim të integritetit territorial të Kosovës, veçanërisht nga bartësit e institucioneve.

Ai tha se 5 organet kryesore të vendit kanë shkelur kushtetutën në vazhdimësi.

Sipas tij, shkelja e parë e Kushtetutës ndodhi pikërisht në momentin e miratimit të saj, pa diskutim as edhe nga deputetët.

“Një kushtetutë e prodhuar mbi premisa të gabuara nuk mund të prodhojë gjëra të drejta.

Çdo shkelje e kushtetutës përbën cenim të themeleve të shtetit, sidomos kur bëhen nga bartësit e funksioneve më të larta shtetërore. Kosova, sipas kësaj kushtetute, dallon 5 organe themelore; Kuvendi Qeveria, presidenti, kryeministi dhe Gjykata Kushtetuese të cilat kanë fuqi kompetenca kushtetuese të cilat kanë pasoja për të gjithë qytetarët dhe shtetin, të gjitha këto organe themelore kanë bërë shkelje të vazhdueshme të Kushtetutës.

Momenti i miratimit të kushtetutës pa diskutim ishte shkelja e parë formale përmbajtësore.

 

Të ngjashme