VV: LDK-ja po këmbëngul të marrë më shumë se ç’u takon ose asgjë, të dyja mundësitë zhgënjyese

Prishtinë | 26 Dhj 2019 | 19:49 | Nga Ekonomia Online

Kryesi të re ndryshe nga të shkuarat e ka cilësuar Lëvizja Vetëvendosje atë që është votuar sot në seancën konstiutive të Kuvendit.

Duke përshkruar atë që ndodhi në seancën e sotme, kjo parti i uron dy deputetët e vet, Glauk Konjufcën e Arbërie Nagavci, që u votuan për kryetar përkatësisht nënkryetare e parë e Kuvendit.

Por LV-ja nuk ka lënë pa thumbuar LDK-në në këtë komunikatë, për mosarritjen e koalicionit qeverisës.

“Pavarësisht dëshirës dhe përpjekjeve tona, erdhëm në këtë seancë pa koalicion. Ne kemi kërkuar marrëveshje të drejtë e shpërndarje proporcionale të përgjegjësive, por pala tjetër po këmbëngul që ose të marrin më shumë se ç’u takon, ose asgjë. Të dyja këto mundësi janë zhgënjyese”, thotë LV-ja, përcjell Koha.net. “Shumë më lehtë e shpejt janë lidhur në të shkuarën marrëveshje që i kanë sjellë dëm Kosovës, por e paskan shumë të vështirë të lidhin marrëveshje me subjektin e vetëm të pakorruptuar, që ka vullnet e plan të luftojë varfërinë e korrupsionin”, ka shtuar më pas.

Vetëvendosje beson se situata po ndryshon, me kalimin e kohës dhe afateve kushtetuese.

“Vetëvendosje vazhdimisht do të kërkojë bashkëpunim në të mirë të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Lexojeni të plotë e pa ndërhyrje komunikatën nga LV-ja:

Një kryesi ndryshe nga të shkuarat

Në kohën rekord prej 60 minutash, qysh në mbledhjen e parë të deputetëve të rinj, u konstituua Kuvendi i Republikës së Kosovës, për legjislaturën e shtatë. Pa vonesa e pa lojëra.

Seanca u hap nën drejtimin e deputetit më të moshuar të Kuvendit, Jahja Kokës, me ndihmën e deputetes më të re në moshë, Fjolla Ujkanit. Të dy nga radhët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! Përfaqësimi i të gjitha moshave, gjinive, profesioneve e prejardhjeve, së bashku në Lëvizjen VETËVENDOSJE! gjeti simbolikë shembullore te Jahja Koka e Fjolla Ujkani. Nën drejtimin e prof. Koka u vijua sipas procedurave me betimin e deputetëve dhe zgjedhjen e kryesisë.

Betimi i deputetëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! si përherë u bë para ligjit e popullit të Kosovës, si edhe para flamurit tonë kombëtar, i cili gjithnjë na prin kah e mbara.

Pas betimit, subjekti fitues, Lëvizja VETËVENDOSJE! përmes kryetarit të saj Albin Kurtit, propozoi kandidatin për kryetar të Kuvendit, Glauk Konjufcën. Kjo pozitë, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014, i takon subjektit fitues. Dhe Glauk Konjufca, nga Lëvizja VETËVENDOSJE! u votua me 75 vota në krye të Kuvendit të Republikës. Me këtë rast Lëvizja dëshiron t’i urojë anëtarët e simpatizantët e saj, por edhe popullin e Kosovës. Në krye të legjislativit tashmë qëndron një njeri i ditur, i pakorruptuar, me integritet të lartë moral e kombëtar.

Më pas u propozuan nga grupet parlamentare edhe nënkryetarët e Kuvendit, ku nga radhët e Lëvizjes kryetari Kurti propozoi deputeten Arbërie Nagavcin. Edhe ky propozim u votua.

I urojmë aktivistët Glauk Konjufca e Arbërie Nagavci për pozitën e re, ku jemi të sigurt se do të na përfaqësojnë ndershëm e mirë, me kulturë e zbatim të ligjit, duke respektuar qytetarët, mediat, opozitën dhe gjithë deputetët, ndryshe nga ç’ka ndodhur më parë.

Pavarësisht dëshirës dhe përpjekjeve tona, erdhëm në këtë seancë pa koalicion. Ne kemi kërkuar marrëveshje të drejtë e shpërndarje proporcionale të përgjegjësive, por pala tjetër po këmbëngul që ose të marrin më shumë se ç’u takon, ose asgjë. Të dyja këto mundësi janë zhgënjyese. Shumë më lehtë e shpejt janë lidhur në të shkuarën marrëveshje që i kanë sjellë dëm Kosovës, por e paskan shumë të vështirë të lidhin marrëveshje me subjektin e vetëm të pakorruptuar, që ka vullnet e plan të luftojë varfërinë e korrupsionin.

Situata po ndryshon, me kalimin e kohës dhe afateve kushtetuese, megjithatë Lëvizja VETËVENDOSJE! vazhdimisht do të kërkojë bashkëpunim në të mirë të Kosovës.

Urime edhe një herë deputetëve për fillimin e Legjislaturës VII. Qoftë kjo legjislatura që e prodhon ndryshimin, sepse qytetarët kanë votuar për ndryshim rrënjësor, s’kanë kohë për të humbur e durim për të pritur.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme