Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar lidhur me incidentet që ndodhën gjatë ligjëratës së presidentit Hashim Thaci, para studentëve të UBT-së. Dy studentë Diellza Arifi dhe Korab Muhadri e kishin quajtur Thaçin “President i gazit, i klanit Pronto dhe hajn” .
Sipas Lëvizjes Vetëvendosje, studentë të janë kërcënuar dhe rrahur nga sigurimi, ndërsa Muhadri është kidnapuar nga katër policë zyrtarë të eskortës së presidentit.
“Për shkak të protestës nga ana e studentit Muhadri për faktin që nuk iu dha fjala, katër policë me veturën zyrtare të eskortës së Thaçit, me targat 156-01, e kanë kidnapuar atë në rrugë, duke e futur në veturë, që më pas ta kërcënojnë e ta rrahin, si dhe ta porosisin që asnjëherë të mos ngreh zërin ndaj Thaçit. Tre nga këta policë ishin Arben Bytyqi, Arsim Jashanica dhe Arsim Rashica, të cilët e kanë kërcënuar studentin Muhadri edhe me jetë”, thuhet në njoftimin e VV-së.
“Aktet e tilla janë kriminale dhe janë të papranueshme. Policët e këtillë janë shërbyes të pushtetarëve kriminelë, siç është Hashim Thaçi, e jo shërbyes të qytetarëve dhe shtetit të Kosovës”, thuhet më tej në reagim.