Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka mbajtur një konferencë për media në të cilën është folur për pakon ligjore të Administratës Publike dhe procesin e liberalizimit të vizave.
Deputetja Albulena Haxhiu ka përmendur propozime e tyre në lidhje me nivelizimin e pagave në sektorin publik që sipas saj, ka shumë shpërputhje. Sipas saj, presidenti, kryeministri e ministrat e kanë pagën shumëfish më të lartë se paga minimale në Kosovë.
“Nëse e shohim Projektligjin për Pagat, shihet hapur se Qeveria ka tentuar të priviligjojë individë, të priviligjojë sërish veten, deputetët, por jo edhe kategoritë tjera që marrin paga të vogla, në shpërputhje me përgjegjësitë që i kanë. Nëse bëjmë një kalkulim të shkurtë, paga e presidentit sipas propozimit aktual, i bie të jetë 17 herë më e madhe se paga minimale, paga e kryeministrit 15 herë më e madhe se paga minimale, paga e deputetit 12 herë më e madhe se paga minimale”.
“Kjo pako ligjore ç’organizon në thelb administratën publike”.
Arbërie Nagavci, deputetja tjetër e Vetëvendosjes tha se ky Projektligj favorizon grupe të vogla të qeveritarëve dhe pushtetarëve ndërsa është diskriminues për punëtorët e sektorit të arsimit.
“Edhe pse punëtorët e arsimit janë faktorë subjektiv me një rëndësi të jashtëzakonshme për punën mësimore, për aftësitë e tyre profesionale dhe përgatitjen didaktike dhe metodike, se ata planifikojnë dhe organizojnë tërë punën mësimore me nxënës duke u mundësuar kushtet elementare për kryerjen e punës mësimore, ata janë rënditur në krahasim me sektorët tjerë, në kategori jo adekuate”.
“Pra ky projektligj parasheh pagesa më të mëdha nga buxheti i Kosovës për ata që mbrojnë pushtetarët sesa për ata që edukojnë fëmijët tanë”.
Ndërsa deputetja Fatmire Mulhaxha Kollçaku, ka folur për procesin e liberalizimit të vizave.
“Liberalizimi i vizave për popullin e Kosovës nuk po ndodh mirëpo është duke ndodhur një liberalizim i heshtur që po mundëson ikjen e trurit nga Kosova. Sa i përket sektorit të shëndetësisë, shumica e mjekëve, secili i posa diplomuar që e kryen fakultetin e mjekësisë vijon kurset e gjuhëve të huaja, në veçanti gjuhën gjermane dhe planifikon që të ikë nga Kosova”.
“Kjo po ndodhë sepse vite me radhë, puna dhe kontributi i mjekut në shëndetësi, është nënvlerësuar”.