VV thotë se e mori vesh nga mediet largimin e 13 deputetëve

Prishtinë | 14 Mar 2018 | 21:45 | Nga

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas largimit të 13 deputetëve të këtij grupi parlamentar. Përmes një postimi në Facebook, VV thotë se e mori vesh nga mediet largimin e tyre.

Për 12 deputetë që e krijuan sot “Grupin e Deputetëve të Pavarur” (GDP), VV thotë se po ndërmarrin veprime pa asnjë shpjegim. E ndaj Donika Kadaj-Bujupit, e cila u rikthye në AAK-në e Ramush Haradinajt. VV thotë se “është tregues i mungesës absolute të qëndrimit politik”.

“AAK-ja është një parti e cila e ka ndryshuar radikalisht qëndrimin në raport me Marrëveshjen për ‘Demarkacionin’ me Malin e Zi, dhe, kjo parti po shënon edhe një numër të madh dështimesh në qeverisjen e vendit, gjëra kundër të cilave deputetja Kadaj ka qenë shumë e zëshme deri para pak ditësh”, thekson ky subjekt opozitar.

Reagimi i plotë:

Mbi ikjet e fundit që paskan qenë edhe të parat

Sot morëm vesh nga mediat se 13 deputetë janë larguar prej grupit parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, subjektit tonë të cilit vota popullore i mundësoi përfaqësimin me 32 deputetë. Dymbëdhjetë prej të larguarve kanë krijuar një grup më vete në Kuvend, ndërsa njëra prej tyre, Donika Kadaj, është rikthyer në AAK-në e Ramush Haradinajt. Deri më tash asnjë prej këtyre deputetëve nuk ka shprehur, me shkrim apo me gojë, ndonjë ide apo qëndrim politik të ndryshëm nga idetë dhe qëndrimet e Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Ndërsa vendimi i Donika Kadajt për t’u rikthyer në AAK është tregues i mungesës absolute të qëndrimit politik. AAK-ja është një parti e cila e ka ndryshuar radikalisht qëndrimin në raport me Marrëveshjen për ‘Demarkacionin’ me Malin e Zi, dhe, kjo parti po shënon edhe një numër të madh dështimesh në qeverisjen e vendit, gjëra kundër të cilave deputetja Kadaj ka qenë shumë e zëshme deri para pak ditësh. Sa i përket 12 deputetëve të tjerë që kanë krijuar sot “Grupin e Deputetëve të Pavarur” (GDP), ata vazhdojnë të ndërmarrin veprime pa asnjë tekst shpjegues. Cilat janë vijat e orientimit të tyre politik, apo dallimet e tyre politike me Lëvizjen? Ata janë pa qëndrime zyrtare, njësoj si pushtetarët dhe politikanët e vjetër, që improvizojnë me veten e me Kosovën, në dëm të popullit. Ky grup pa tekst e pa qëndrime dëshmon edhe për faktin se kemi të bëjmë me individë që kanë dallime të mëdha me njëri-tjetrin, të cilët të pavarur janë vetëm nga vetvetja.

Me këtë vendim të tyre, këta 13 deputetë janë vetëpërjashtuar nga Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe nuk mund ta përfaqësojnë më atë as brenda dhe as jashtë institucioneve. Lëvizja ka bërë çmos që kjo të mos ndodhte, por plani i tyre ka qenë qartazi i hershëm dhe pa kthim mbrapa.

Megjithatë, më shumë sesa largim nga Lëvizja VETËVENDOSJE! këta deputetë janë larguar nga populli që i ka përkrahur. Ata po marrin me vete padrejtësisht mandate që nuk u takojnë, duke shkelur mbi punën dhe sakrificat e mijëra aktivistëve, duke mashtruar me mijëra qytetarë, dhe duke përfituar nga fondi dedikuar për fushatë e për shumë aktivitete të tjera për ta ndër vite. Do duhej sigurisht që ata të falenderoheshin për kontributin e tyre të mëhershëm në Lëvizjen VETËVENDOSJE!, por marrë parasysh manipulimin e madh që kanë orkestruar në opinion publik ndaj Lëvizjes VETËVENDOSJE! gjatë gjithë këtyre muajve, marrë parasysh të pavërtetat që kanë thënë, marrë parasysh shtrembërimin e madh që kanë shkaktuar ndaj vullnetit të qytetarëve të shprehur me votë, do të dukej shumë hipokrite nga ana jonë që këtë falenderim ta bënim pikërisht sot.

Një ikje e tillë nuk është reflektuar në anëtarësinë dhe mbështetësit e Lëvizjes. Këto largime nuk kanë qenë çarje, por thjesht ikje, ikje nga përgjegjësitë, nga fjala e dhënë, dhe, siç duket, edhe nga programi politik. Këto ikje vijnë pas largimit të Shpend Ahmetit, duke i hapur kështu rrugën tentativës për formimin e “FER-it 2” me emër të ri. Tentativë që duket se po çalon ende pa nisur të eci.

Pas këtyre ikjeve, Lëvizja VETËVENDOSJE! e ka të gjithë mundësinë, vullnetin dhe kapacitetet për t’u rritur e forcuar si kurrë më parë. Koha punon në favorin tonë. Plani i tyre për ta përçarë e për ta shkatërruar Lëvizjen dështoi. Turpi do të mbetet me ata që nuk e kuptuan përgjegjësinë e tyre historike dhe e vendosën veten mbi synimet politike e ideore. Suksesi do t’i shkojë popullit dhe Lëvizjes VETËVENDOSJE! që nuk iku, nuk u nda e nuk do të ndahet kurrë prej tij.

Prishtinë, 14 mars 2018

Lëvizja VETËVENDOSJE!

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme