Pozita e opozita në komunën e Prishtinë kanë mendime të ndryshme sa i përket premtimeve dhe punës që është duke e bërë në këtë Komunë nga kryetari Përparim Rama, raporton Ekonomia Online.
Nga Partia Demokratike e Kosovës kanë thënë se puna në kryeqytet është e një dinamike më të madhe sa i përket investimeve.
Lëvizja Vetëvendosje e ka cilësuar si të dështuar qeverisjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës në komunën e Prishtinës, pasi sipas tyre kjo qeverisje sa i përket realizimit të projekteve është shumë e dobët.
LeutrimRetkoceri, i cili është shef i Asamblistëve të Partisë Demokratike të Kosovës në Prishtinë, tha se si parti nuk e kanë bërë matjen e realizimit të premtimeve të kryetarit Rama.
“Ne si Parti Demokratike e Kosovës nuk është që kemi bërë matjen e premtimeve të kryetarit tu e pas parasysh se zgjedhjet lokale që janë organizohen në dy nivele, në nivelin për Kuvend Komunal dhe në nivelin për kryetar komune. Rama ka fituar besimin që të udhëheq si kryetar komune. Po besoj janë organizatat tjera dhe monitorues të tjerë të pavarur që duhet ta shikojnë edhe ta bëjnë matjen e premtimeve dhe realizimit”, tha ai.
Sipas tij, për të vlerësuar punën e bërë në komunën e Prishtinës duhet që të presim deri në përfundim të mandatit.
Madje siç thotë ai në këtë qeverisje është ka dinamik të madhe të punës sa i pëkret investimeve në Prishtinë, raporton EO.
“Çka mund të themi është se tani më po bëhen pothuaj se një vit e gjysmë prej që ka filluar qeverisja e zotëri Rama, duhet të shohim dhe të presim në projekte dhe punët që janë përpara për tu realizuar. Nuk mund të themi që një vit është i mjaftueshëm për të realizuar punë të mëdha, një vit është vetëm nisja e fillimi të punëve”.
“Mirëpo çka mund të themi se është një dinamik tjetër, është një punë tjetër që shihet në relacion me investimet në kryeqytet, shërbimet dhe punët tjera. Mirëpo nuk duhet të dalim paragjykues deri sa të shohim se i afrohemi mesit apo përfundim të mandati që të shohim se cilat janë rezultatet e prekshme që janë arritur nga qeverisja”, tha ai.
Shefi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës, Gëzim Sveçla, tha se për mosrealizimin e premtimeve flasin raportet e organizatave joqeveritare.
Ai shtuar se realizimi i projekteve qëndron shumë dobët, ku sipas tij, shkalla e realizimit është 2.18 përqind.
“Se sa janë plotësuar premtimet e zotëri Rama më së miri tregojnë raportet e organizatave jo qeveritare të cilat merren me mbikëqyrjen e projekteve dhe realizimit të projekteve, ku fatkeqësisht komuna e Prishtinës qëndron shumë poshtë, shumë dobët, po flasim për vitin 2022. Ndërkohë që tashmë jemi në vitin 2023, kemi të bëjmë më një buxhet i cili është tërësisht i projektuar nga Rama dhe mbete të shihet se cili do të jetë realizimi”.
“Ky tremujori i parë nuk jep shpresa të mëdha, në raportin financiar të cilin ne e kemi diskutuar në seancën e kaluar investimet kapitale kanë pasur shkallë të realizimit vetëm 2.18 për qind, është ndër komunat me realizimin më të ulët të investimeve kapitale. Ne si Lëvizje Vetëvendosje, si opozitë në Kuvendin Komunal, shpresat në këtë drejtim i kemi minimale, për shkak se edhe viti i kaluar edhe ky fillim vit na e ka dëshmuar të kundërtën”, tha ai.
Sveçla po ashtu tha se ka keqpërdorime nëpër ndërmarrjet publike duke e përmendur këtë ndërmarrjen “Prishtina Parking”, mirëpo sipas tij, ka edhe lëvizja në disa drejtori që janë duke punuar, raporton EO.
“Ndërkohë që kemi skandale, e kemi keqpërdorime nëpër ndërmarrje publike të cilat po raportohen edhe nëpër media e informimit. Vazhdon saga me ‘Prishtina Parkingun’, vazhdojnë pakënaqësitë e qytetarëve në çdo lagje dhe këtu duhet që të thuhet një gjë që ‘Prishtina Parking’ po vazhdon me shkel rregulloren e vetë dhe po vazhdon me e shkel ligjin sidomos nëpër lagjet ku kemi të bëjmë me bashkëpronësi”.
“Kemi një spektër të tërë dështimesh të cilat nuk po e lehtësojnë jetën e qytetarëve, në këtë drejtim nuk dua që çdo gjë të duket zi, ka disa lëvizje nëpër drejtori të caktuara, disa punë të përditshme. Ndriçimi kemi parë që po bëhet diçka me ndriçimin që është kompetencë e drejtorisë së shërbimeve publike, mirëpo në anën tjetër e njëjta drejtori tash e 15 muaj nuk po arrin t’i rregullojëpriroret për autobusë, qytetarët po presin në shi, në erë, në diell autobusin edhe nuk kanë pritore”, tha ai për EO.