Lëvizja Vetëvendosje përmes një shkrese zyrtare i është drejtuar kryetares së Gjykatës Themelore në Prishtinë, znj. Afërdita Bytyqi, me kërkesën për përjashtimin e trupit gjykues në çështjen e deputetëve të kësaj lëvizjeje.
Më herët, njëri nga të akuzuarit, deputeti i Vetëvendosjes në Kuvendin e Kosovës, Faton Topalli, i vetmi që sot ishte i pranishëm në sallën ku duhej të zhvillohej procesi, paralajmëroi një mundësi të tillë.
Po e japim të plotë kërkesën e Vetëvendosjes, drejtuar Gjykatës Themelore në Prishtinë.
PKR nr. 717/17
GJYKATËS THEMELORE NË PRISHTINË
Kryetares së Gjykatës Themelore në Prishtinë Znj. Afërdita Bytyqi
Albin Kurti – Deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës;
Albulena Haxhiu- Deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës;
Donika Kadaj-Bujupi – Deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës;
Faton Topalli- Deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës;
Në mbështetje të Nenit 41, pargrafit 1 në lidhje me paragrafin 2 të KPP-së, të akuzuarit sipas Aktakuzës PP.I.nr.810/2015 të ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, nën arsyetimin e dyshimit se të njëtit kanë kryer veprat penale të Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm nga Neni 375 paragrafi 1 dhe veprës penale Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare nga Neni 409 paragrafi 1 i KPRK-së, në mbështetje të dispozitave të Nenit 41, paragrafit 2 të KPP-së parashtrojnë:
KËRKESË PËR PËRJASHTIMIN E TRUPIT GJYKUES
NË ÇËSHTJEN PENALE PKR.nr. 717/15
Duke u bazuar në arsyet se:
– Ekzistojnë rrethanat objektive që e vënë në dyshim paanshmërinë e trupit gjykues që duken të papërshtatshme dhe cenojnë një gjykim të drejtë.
ARSYETIM
Që nga ngritja e Aktakuzës PP.I.nr.810/2015 së Prokurorisë Themelore në Prishtinë – Departamentit për Krime të Rënda, pranë kësaj gjykate janë zhvilluar dy seanca të kontrollit të aktakuzës, e që në terminologjinë e procedurës penale konsiderohet se është mbajtur seanca e shqyrtimit fillestar dhe shqyrtimit të dytë. Meqenëse dispozitat e KPP-së përcaktojnë se këto seanca udhëhiqen nga gjyqtari i vetëm gjykues apo kryetari i trupit gjykues, dhe meqë çështja penale për të cilën gjykohemi është nën kompetencën e Departamentit për Krime të Rënda, çështja e tillë penale gjykohet nga trupi gjykues. Rrjedhimisht shqyrtimi fillestar dhe shqyrtimi i dytë është mbajtur nga kryetari i trupit gjykues, z. Beqir Kalludra.
Pas përfundimit të shqyrtimit fillestar dhe shqyrtimit të dytë, për çështjen penale PKR.nr. 717/15 është caktuar trupi gjykues në përbërje prej Beqir Kalludra – kryetar i trupit gjykues, Shadije Gërguri – anëtare e trupit gjykues dhe Shasivar Hoti – anëtar i trupit gjykues.
Që të tre anëtarë të këtij trupi gjykues janë po ashtu gjyqtarë në çështjen penale që ndiqet kundër aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! Adea Batusha, Atdhe Arifi, Egzon Haliti dhe Frashër Krasniqi.
Para se të konstatojmë pretendimin tonë për përjashtimin e trupit gjykues nga çështja penale PKR.nr. 717/15, konsiderojmë të rëndësishëm shpjegimin e fakteve juridike lidhur me vetë çështjen që është duke u zhvilluar pranë kësaj gjykate.
Meqenëse ndjekja dhe persekutimi penal që është duke u bërë ndaj nesh, në cilësi të përfaqësuesve politik të popullit të Kosovës, si deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, organit më të lartë legjislativ i cili bartë autorizimet kushtetuese për ushtrimin e sovranitetit në emër të popullit të Republikës së Kosovës, përbënë një proces politik të mëveshur me petkun e procedurës penale. Në këtë çështje penale, ne si të akuzuar nga aparati shtetëror, praktikisht të akuzuar nga përfaqësuesja e aktakuzës, Prokuroria Themelore në Prishtinë, jemi subjekte në procedurë penale sipas porosive politike të agjendave ditore të grupeve të interesit që sot e kontrollojnë pushtetin shtetëror të Republikës së Kosovës.
Të gjitha veprimet që i kemi ndërmarrë janë në kuadrin e funksionit të deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, si fushëveprim i deputetëve të zgjedhur nga populli dhe në kuadër të dispozitës së Nenit 74 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, dispozitë e cila deputetët e Kuvendit të Kosovës i obligon që ta zbatojnë me përpikëri e në të cilën thuhet:
“Deputetët e Kuvendit të Kosovës ushtrojnë funksionin e tyre në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës dhe në pajtim me këtë Kushtetutë, ligjet dhe rregullat e procedurës së Kuvendit”.
Andaj, të bindur në obligimin tonë kushtetues për të mbrojtur interesin më të mirë të Republikës sonë, kundërshtimi jonë i shprehur në drejtim të marrëveshjeve të dëmshme përkitazi me Marrëveshjen për themelimin e “Zajednicës” të ashtuquajturës Asociacion i Komunave me shumicë serbe dhe Marrëveshjes për demarkimin e kufirit tokësor me Malin e Zi, është veprim politik që në këtë procedurë është duke u tentuar që të penalizohet përmes përndjekjes penale që është duke u bërë ndaj nesh si deputetë të Kuvendit të Republikës.
Ky trup gjykues i udhëhequr nga kryetari Beqir Kalludra, është i njëjti trup gjykues i cili ka zhvilluar procedurën e gjykimit penal ndaj aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! të akuzuar për sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës. I njëjti kryetar i trupit gjykues, pra z. Beqir Kalludra, përkundër degradimit të procedurës penale sipas aktakuzës së përfaqësuar nga prokurori i çështjes, Abdurrahim Islami, me 20 nëntor 2017, për më pak se 48 orë para hapjes së vendvotimeve për zgjedhjet e raundit të dytë për kryetarë të komunave, ka shpallur aktgjykimin me të cilin ka shpallur fajtorë aktivistët e akuzuar për sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës. Ndonëse, aktakuza e prokurorit, e degraduar gjatë gjithë procesit, e demantuar nga vetë mjetet provuese që i ka propozuar Prokuroria, deklarimet e kundërta të dëshmitarëve, demantimet faktike nga ekspertizat e bëra qoftë nga insititucionet e brendshme dhe qoftë atyre ndërkombëtare siç është byroja federale FBI, janë fakte tani notore që përbën rrethanë të bazuar për të pasur dyshimin mbi paanshmërinë që duken të papërshtatshme dhe që cënojnë të drejtën në një gjykim të drejtë. Pra, vetë drejtimi i këtij procesi nga Beqir Kalludra dhe anëtarët e këtij trupi gjykues, e bënë të gjithë këtë proces të dyshuar se do të zhvillohet sipas standardit kushtetues dhe sipas instrumenteve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, për një gjykim të drejtë.
Gjyqtarët të cilët kanë marrë pjesë në maskaradën procedurale kundër aktivistëve të Lëvizjes VETËVEDNOSJE! për rastin e montuar të sulmit ndaj Kuvendit të Kosovës, që kanë shfaqur inercionin e tyre politik dhe kanë shkaktuar bazë faktike për anëshmërinë dhe varësinë e tyre nga politika e pushtetit, e bënë që i gjithë ky proces të vihet në dyshim dhe jo thjeshtë të anashkalohet fakti se jo rastësisht Beqir Kalludra është kryetar i trupeve gjykuese në të dy rastet që kanë të bëjnë me anëtarët e subjektit politik Lëvizja VETËVENDOSJE!
Duke u mbështetur në pretendimet e cekura më lartë, konsiderojmë se rrethanat e theksuara në këtë kërkesë kanë bazë ligjore që kërkesa jonë të konsiderohet e bazuar, kështu që për shkaqet e theksuara sipas Nenit 39, paragrafit 3 në lidhje me Nenin 41, paragrafit 2 të KPP-së, meqnëse për shkak të pengesave procedurale nuk ka qenë e mundur që të mbahet shqyrtimi gjyqësor, për arsyet e njëjta;
PROPOZOJMË
Që Kryetarja e Gjykatës sipas Nenit 42, paragrafit 1 me nën-paragrafin 1.1 të KPP-së të nxjerrë Aktvendim me të cilin
PËRJASHTOHET TRUPI GJYKUES në përbërje prej: Beqir Kalludra – kryetar, Shadije Gëguri – anëtare dhe Shasivar Hoti – anëtar në çështjen penale PKR.nr. 717/15 pranë Departamentit për Krime të Rënda – Gjykata Themelore në Prishtinë, për shkak se trupi gjykues në përbërje të tillë:
– vënë në dyshim paanshmërinë e trupit gjykues që duken të papërshtatshme dhe cënojnë një gjykim të drejtë.
Në emër të të lartpërmendurve e dorëzoj këtë kërkesë
Albulena Haxhiu