Veprimet pasojnë bastisjen e dhunshme në ndërtesën e Capitolit javën e shkuar nga mbështetësit e presidentit Donald Trump, si dhe çrregullimeve në fluturime dhe në aeroporte. Zyrtarët kanë paralajmëruar se po përgatiten protesta të armatosura në Washington dhe në të gjitha 50 shtetet e SHBA-së
Teksa Washingtoni është vënë në mbyllje në prag të inaugurimit të presidentit të zgjedhur, Joe Biden, “Delta Air Lines” ka vënë të enjten kufizime të reja për udhëtarët që synojnë kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, derisa demokratët kanë paralajmëruar për dhunë të mundshme politike edhe pas betimit të 20 janarit.
“Delta” nuk ua ka lejuar udhëtarëve që mësyjnë aeroportet e rajonit të Washingtonit që t’i paraqesin armët gjatë fluturimeve në prag të inaugurimit, ka thënë të enjten shefi ekzekutiv i kompanisë, Ed Bastian.
Veprimet pasojnë bastisjen e dhunshme në ndërtesën e Capitolit javën e shkuar nga mbështetësit e presidentit Donald Trump, si dhe çrregullimeve në fluturime dhe në aeroporte. Zyrtarët kanë paralajmëruar se po përgatiten protesta të armatosura në Washington dhe në të gjitha 50 shtetet e SHBA-së.
Hotelet, aviokompanitë dhe bizneset e tjera kanë shtrënguar masat e sigurisë, teksa autoritetet kanë paralajmëruar vendosjen e të paktën 20.000 trupave të Gardës Kombëtare në qytet.
“Jemi të gjithë në gjendje alarmi, bazuar në ngjarjet e disa javëve të fundit në Washington”, ka thënë Bastian për CNBC. Ai ka thënë për Reutersin se aviokompania ka vendosur pasagjerët në një listë të ndalimfluturimit për shkak të përfshirjes së tyre në incidentet e dhunshme që, për shembull, kanë vënë në shënjestër senatorin republikan, Mitt Romney.
Në Washington, perimetri i mburojës së lartë që rreth Capitolit është zgjeruar për të përthekuar edhe Gjykatën Supreme dhe Bibliotekën e Kongresit. Rrugët përreth janë mbyllur, ndërsa disa biznese kanë njoftuar se do të ndalin veprimtaritë.
Përfaqësuesja Abigail Spanberger, një ish-zyrtare e CIA-s me bagazh në rrafshin e terrorizmit, ka paralajmëruar për dhunë të mundshme politike pas inaugurimit.
“Qartazi jemi duke u përgatitur për këto rezultate potenciale gjatë fundjavës dhe në inaugurim, por nuk merr fund me kaq”, ka thënë ajo për televizionin amerikan CNN.
Këto masa janë ndërmarrë vetëm një ditë pasi që Dhoma amerikane e Përfaqësuesve ka votuar për ta shkarkuar Trumpin nën akuzën për nxitjen e kryengritjes, pasi që mbështetësit e tij hynë në Capitol, duke lënë të vdekur pesë persona. Ngjarja u nxit nga një fjalim i presidentit republikan, në të cilin ai i përsëriti pretendimet e pabazuara se demokrati Biden e kishte mposhtur në zgjedhjet e 3 nëntorit nëpërmjet mashtrimeve të gjithmbarshme zgjedhore.
Bastisja në Capitol është duke u hetuar nga autoritetet federale, të cilat kanë arrestuar deri më tani me dhjetëra persona lidhur me ngjarjen.
Më shumë se 30 demokratë të Dhomës, përfshirë Spanbergun dhe përfaqësuesin Mikie Sherrill, u kanë kërkuar udhëheqësve të Dhomës dhe Senatit, si dhe shefit në detyrë të policisë së Capitolit që të sigurojnë videot dhe informatat e tjera të atyre që kishin hyrë në ndërtesë më 6 janar.