Arsene Wengeri e ka thënë Zinedine Zidane se “nëse dëshiron të punosh në topligë” atëherë duhet të pranojë punë në Premier Ligë.
Ish-menaxheri i Real Madridit është i papunë që prej muajit maj kur fitoi për herë të tretë Ligën e Kampionëve. Francezi është lidhur vazhdimisht me Manchester Unitedin derisa po shtohet presioni te Jose Mourinho.
Wengeri që u largua nga Arsenali pas 22 vjetësh karrierë, ka porositur bashkëkombësin që Anglia duhet të jetë destinacioni i tij i radhës.
“Po, përse jo? Nëse do të kesh sukses, ditëve të sotme duhet të jetë Anglia”, ka thënë Wenger për beIN Sports.
“Por ka shumë paqartësi me Brexitin: A do të jetë dominuese Premier Liga? Do ta marrim vesh së shpejti. Anglia është vendi i vetëm ku gjashtë klube luftojnë për titull”, ka thënë francezi.
“Në vendet tjera në dhjetor mund të tregoni se kush do ta fitojë kampionatin, ose në Francë mund të thoni që në shtator”.
Wenderi ka pranuar se Zidane ka përjetuar punën e tij më të madhe dhe se puna e tij e radhës duhet të jetë projekt afatgjatë.
“Është në pozitë të vështirë. Ka qenë në klubin më të mirë në botë dhe mund të shkojë vetëm te klubi i dytë më i mirë në botë”, ka shtuar Wengeri.
“Do të thotë se ka diçka përballë, ose të marrë një projekt afatgjatë dhe të jetë i përfshirë në ndërtimin e një klubi. Tjetra është që të marrë përsëri një ekip që është i fortë dhe të fitojë përsëri Ligën e Kampionëve. Kjo nuk do të jetë e lehtë”.