Zidane thyen heshtjen dhe tregon arsyen e largimit nga Real Madridi

Prishtinë | 31 Maj 2021 | 14:42 | Nga Ekonomia Online

Zinedine Zidane është larguar për herë të dytë nga Real Madridi, pasi ka trajnuar për dy periudha të ndryshme gjigantin spanjoll.

Los Blancos këtë edicion kanë mbetur pa fituar asnjë trofe dhe kjo nuk është kapërdirë lehtë nga drejtuesit e klubit.

Tekniku francez ka thyer heshtjen dhe nëpërmjet një letre për tifozët madrilen ka shpjeguar arsyet e vërteta që quan drejt largimit nga Madridi.

Zizou ka thënë se mungoi besimi i duhur nga klubi dhe kjo ishte arsyeja që u largua nga Los Blancos.

“U largova sepse ndjeja se klubi nuk po më jepte besimin e duhur. Nuk më dha besimin për të ndërtuar diçka afatgjate”.

“Unë e njoh futbollin dhe nevojat që ka një klub si Reali, e di se nëse nuk fiton atëherë duhet të largohesh. Por, u harrua diçka e rëndësishme dhe diçka që ndërtohet ditë pas dite”.

Tutje tekniku francez ka thënë se ai fillimisht vlerëson lidhjen emocionale, por që sipas tij ato nuk janë vlerësuar nga Real Madridi.

“Kontributi im në lidhje me lojtarët, marrëdhënia me 150 punëtorë që janë afër ekipit. Unë jam një fitues i lindur dhe isha te Reali për të marrë trofe, por veç kësaj janë edhe lidhjet njerëzore”.

“Ka emocione brenda, por kam përshtypjen se këto tashmë nuk vlerësohen më”, u shpreh Zidane.

48-vjeçari për dy periudha të ndryshme drejtoi Real Madridin, njëherë nga viti 2016 deri më 2018, pastaj nga 2019 deri në maj të vitit 2021.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme