Qyteti Wolverhampton ka popullatë rreth 249 mijë banorë, kështu që synimi për të bërë skuadrën numër një të futbollit mund të duket ëndërr.
Mirëpo, Jeff Shi, kryetari ekzekutiv i Wolverhamptonit, i lindur dhe rritur në Shanghai, një vend me popullatë 24 milionë banorë, ofron një perspektivë.
“Nëse e krahasoni Manchesterin me qytetet në Kinë, atëherë është një qytet shumë i vogël. Por ka dy top klube të futbollit”, thotë Shi, shkruan “Daily Mail”, transmeton “Koha Ditore”.
Në fakt ka 40 qytete në Kinë, që janë më të mëdha se Manchesteri.
“Nëse synimi yt është të kesh një klub global, atëherë tifozët tuaj do të jenë nëpër botë. Në Wolverhampton ndoshta popullata nuk është aq e madhe, dhe për çdo ndeshje 50 mijë apo 45 mijë tifozë të na shikojnë maksimalisht nuk është problem për ne. Futbolli nuk ka nevojë për një metropol të madh. Ka të bëjë më tepër me njerëzit dhe dashurinë e pasionin e tyre. Këtë mund të ndiej këtu. Dhe për këtë arsye më pëlqen Wolverhamptoni aq shumë”, ka deklaruar Shi.
Në këtë fazë të bisedës me Shin e kupton se Wolverhamptoni, që gjatë ka qenë si shënjestër e shakave, është duke ndryshuar vërtet. Dhe sa shpejt mund të ndodhë kjo? Duhet pasur parasysh se Manchester City kishte qenë objekt talljeje deri para dhjetë vjetëve.
Shi nuk heziton të thotë se dëshiron të arrijë sukseset e Cityt.
“Në të ardhmen, pse jo? Unë shpresoj të kemi një top skuadër në botë. Por nuk kemi pse të flasim kaq shumë për këtë tash. Gjërat shkojnë hap pas hapi. Nëse më pyesni për synime afatgjate, sigurisht, ne duam të jemi po aq të mirë sa Manchester City, nëse jo edhe më të mirë”, thotë kinezi Shi.
Ai insiston se duhet të shikohen gjërat me modesti, duhet shikuar se si mëson skuadra dhe adaptohet, pasi është ende relativisht e re në Premier League. Por synimet janë të qarta.
“Ne e dimë se sa shumë Manchester City ka investuar në skuadrën e vet dhe personalisht nuk mendoj se është një gjë e pamundur për të arritur nëse më jepni dhjetë apo 30 vjet kohë. Dhe futbolli nuk ka të bëjë vetëm me para. Edhe për Manchester Cityn. City ka bërë shumë gabime gjatë rrugës. Po të kishte bërë çdo gjë perfekte atëherë do të kishte arritur këtë status që ka tash shumë më herët. Ne nuk mendojmë se është një status që nuk mund të arrihet. Mund të mësojmë nga City. Dhe ndoshta mund të bëjmë edhe më mirë, me njerëzit, me skuadër, me trajner dhe lojtarë. Nëse kombinon këtë, ndoshta mund të bësh diçka më herët se City apo të investosh më pak se City dhe të arrish të njëjtin synim”, ka thënë Shi.
Shumica e njerëzve kanë parë se ku po shkon Wolverhampton Wanderersi, kur stinorin e kaluar u emërua trajner Nuno Santo dhe u transferua Ruben Neves për 15 milionë funte. Më tepër koka janë kthyer kur Wolverhamptoni fitoi titullin e kampionit në Kategorinë e Dytë të Anglisë me 99 pikë të mbledhura. Edhe më tepër kur u shpenzuan 66 milionë funte këtë verë në lojtarë të rinj, pas ngjitjes në Premier League.