Xavi: Guardiola mund të ndryshojë futbollin anglez

Prishtinë | 08 Gus 2016 | 14:02 | Nga

Nëse ka një njeri i cili mund të ndryshojë lojën e futbollit në Angli, ai është … Pep Guardiola. Kështu ka thënë ish-mesfushori legjendar i Barcelonës, Xavi Hernandez.

Mesfushori, i cili aktualisht luan për skuadrën Al Sadd në Katar, mendon se ish-trajneri i tij ka kapacitetin për të pasur një impakt filozofik vendimtar në futbollin anglez.

“Ai e ndryshoi futbollin. Ai ndryshoi jo vetëm Barcelonën, por futbollin botëror. Mendoj se ai është ndër të paktët njerëz të cilët mund të ndryshojnë futbollin anglez”, – u shpreh Xavi gjatë një dokumentari të “Sky Sports”-it për trajnerin katalanas.

Me lojtarë shtatshkurtër si Andres Iniesta, Xavi dhe Lionel Messi, gjeniu i dha lojës më popullore në botë një ngjyrë krejt tjetër, duke u përqendruar te pasimet dhe loja në grup.

Barcelona fitoi tre tituj të La Ligës dhe dy herë Ligën e Kampionëve gjatë katër sezoneve të Pepit në “Camp Nou”, teksa më pas ai dirigjoi Bayernin drejt tre titujve radhazi në Bundesligë në po kaq sezone në Mynih.

Pavarësisht suksesit të tij që në moshë të re, kalimi i Guardiolës në Premier League pritet të jetë sfida e tij më e madhe në karrierë, pavarësisht se Xavi nuk ka dyshime se ish-shoku i tij i skuadrës do t’ia dalë edhe në ishull.

“Gjëja e parë që unë mbaj mend nga thëniet e tij si trajner ishte se nuk do t’i toleronte kurrë lojtarët të cilët nuk punojnë fort. ‘Kjo është gjëja e vetme që unë kërkoj, që ju të punoni fort për grupin’. Kjo ishte surprizuese për mua. Presingu i lartë ishte brilant. Ishte me të vërtet një revolucion në futboll, një stil modern loje.

Në pak vite, askush nuk luante më me topa të gjatë. Edhe Real Madridi e ndryshoi stilin e vet të lojës. Pep e nisi këtë revolucion futbolli që në vitin e parë të tij te Barcelona.

Ne bëmë histori. Jo vetëm për fitoret, por edhe për mënyrën e lojës”, – u shpreh më tej legjenda e futbollit spanjoll.

Testi i parë i Pep Guardiolës në Premier League do të jetë në shtëpi kundër Sunderlandit, para se “Qytetarët” të nisen për në Bukuresht, aty ku i pret Steaua për ndeshjen e parë kualifikuese të Ligës së Kampionëve më 16 gusht.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme