Xhaçka: Masakra e Reçakut të shërbejë si kujtesë që rajoni të bashkëpunojë pa mentalitet të gjenocidit

Prishtinë | 15 Jan 2023 | 15:57 | Nga Ekonomia Online

Ministrja për Evropën dhe Punë të Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, ka përkujtuar masakrën e Reçakut të ndodhur 24 vjet më parë, ku mbetën të vrarë nga forcat serbe 45 civilë të pafajshëm, përfshirë gra e fëmijë.

Xhaçka ka thënë se kjo masakër dhe shumë të tjera që kanë ndodhur gjatë luftës së fundit në Kosovë, shërbejnë si kujtesë e fuqishme që i gjithë rajoni duhet të bashkëpunojë për ndërtimin e një të ardhme të pastër.

Ajo ka thënë se ky bashkëpunim duhet të qeveriset me një filozofi e cila refuzon mentalitetin e gjenocidit.

“Sot kujtimi i tyre dhe kujtimi i mijëra burrave, grave dhe fëmijëve të vrarë në krime të tjera të panumërta të luftës të kryera nga regjimi serb në Kosovë kërkon ende drejtësi dhe pajtim. Por, gjithashtu shërben si një kujtesë e fuqishme se sa shumë i gjithë rajoni ynë duhet të punojë së bashku për të ndërtuar një të ardhme të paqtë dhe me prosperitet, e qeverisur me një filozofi që refuzon mentalitetin e gjenocidit i cili ishte përgjegjës për masakrën në Reçak”, ka shkruar ajo në Facebook.

Më 15 janar 1999, në fshatin Reçak u vranë e u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur.

orët e hershme të mëngjesit të 15 janarit Reçaku u zgjua i rrethuar. Sipas dëshmitarëve, aty rreth orës 6:30 forcat serbe me artileri të rëndë kanë filluar të bombardojnë fshatin. Pas ndërprerjes së bombardimeve, forcat serbe janë futur në fshat dhe kanë filluar bastisjet.

Të ngjashme