Xhafer Tahiri i bindur: Më 14 nëntor do ta konfirmojë fitoren

Prishtinë | 31 Tet 2021 | 08:06 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari aktual i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, do të shkojë në balotazh me Ferat Idrizin e PDK-së, pasi fitoi 33.82 për qind të votave në zgjedhjet e 17 tetorit, raporton Ekonomia Online.

Ndonëse është pas me vota nga Idrizi, Tahiri i tha Ekonomia Online së me 14 nëntor të konfirmohet fitorja e tij.

Ai foli edhe për kundër kandidatin nga PDK-ja, duke pohuar se njerëzit që e rrethojnë kanë keqeverisur gjatë mandatit qeverisës në vitin 2017.

“Kundër kandidati im ka qenë në vitin 2017 para meje dhe ne e kemi mundur. Në vitin 2017 qytetarët e Vushtrrisë e kanë refuzuar zotëri Idrizin jo për atë që prezanton individualisht, por për shkak të asaj që prezanton si koncept politik dhe njerëzve të cilët e rrethojnë atë dhe nuk ka dyshim që janë të njëjtit që synojnë të rikthehen në komunë dhe të vazhdojnë keqqeverisjen aty ku e kanë lënë në 2017-ën. Dhe ne të gjithë e dimë që komuna e Vushtrrisë ishte në fund të listës për sa i takon performancës. Kishte humbur shpresa e qytetarëve të Vushtrrisë. Unë pres që me 14 nëntor të konfirmohet fitorja jonë”, tha ai.

Lidhjen Demokratike të Kosovës në këto zgjedhje prin për nga votat e diasporës, e kjo e bënë shumë krenar Tahiri.

“Unë jam shumë krenar për përkrahjen nga mërgata jonë për ne. ne kemi pasur një program këtu në Vushtrri ku kemi prezantuar të gjitha projektet për investime nga mërgata jonë dhe mezi presim të vazhdojmë në qeverisjen katër vjeçare, në mënyrë që të gjitha projektet që kemi paraqitur para mërgatës tonë t’i implementojmë në praktikë dhe të sjellim investime nga mërgata jonë”, tha Tahiri.

Tahiri ka shpalosur programin qeverisës për mandatin katër vjeçar, duke theksuar 5 hapat e parë që do të ndërmarrin sa i përket sektorit të bujqësisë e energjisë elektrike.

Tutje, Tahiri shtoi se do të fillojnë ndërtimin e çerdheve edhe nëpër fshatra dhe se shumë shpejt do të funksionalizojnë QKMF-në.

“Janë 5 vendime të rëndësishme që do ti marrim që në ditët e para të mandatit natyrisht që do të aprovojmë vendimin për 4 cent për litër qumësht për çdo prodhues të qumështit për fermerët në qytetin e Vushtrrisë. Vendimi i dytë do të jetë që të bëjmë thirrjen publike për subvencionim të bizneseve dhe pagës për biznese që punësojnë gra e të rinj në qytetin e Vushtrrisë.

“Vendimi tretë do të jetë rritja e bursave në qytetin e Vushtrrisë, dhe do të fillojmë studimin e fizibilitetit për ngrohtoren e qytetit një projekt jetik për të gjithë qytetarët e Vushtrrisë sidomos tani që kemi shtrenjtim shumë të madh të rrymës e që është një kosto shumë e lartë për ngrohje për të gjithë qytetarët e Vushtrrisë dhe poashtu do të jetë thirrja publike për ndërrimin e fasadës së të gjitha objekteve duke filluar nga banesat e bardha dhe të gjitha ndërtesat tjera të vjetra në qytetin e Vushtrrisë në mënyrë që përmes ligjit për dhënie në shfrytëzim të pronës komunale t’i adresojmë brengat e banorëve të cilët janë të pasigurt në këto objekte”.

“Natyrisht do të fillojmë menjëherë çerdhen e tretë në qytet dhe do të fillojmë me ndërtimin e çerdheve nëpër fshatrat e Vushtrrisë ashtu siç i kemi prezantuar në programin tonë qeverisës. Ndërkohë që në shëndetësi do ta funksionalizojmë menjëherë QKMF-në e do të vazhdojmë t’i japim 120 euro për çdo fëmijë të porsalindur dhe do ti vazhdojmë shërbimet shëndetësore sepse ka qenë ndër projektet më të rëndësishme për mbrojtjen e shëndetit të qytetarë të Vushtrrisë”, tha Tahiri.

Sipas tij, përkrahja maksimale do t’u ofrohet të rinjve, të cilët do të kenë zero taksë komunale në tatim.

Madje, Tahiri tha se do të shtohen investime në arsimin profesional dual, duke dhënë edhe bursa për studentë.

“Në kemi disa politika të rëndësishme sa i takon përkrahjes për të rinjtë. E para do të kemi zero taksë komunale tatim në pronë për bizneset që punësojnë mbi 40% të rinj nën moshën 25 vjeçare. Do të vazhdojmë investimin në arsimin profesional dual. Jemi e vetmja komunë që japim bursa për sholla të mesme dhe kemi sigurimin shëndetësor për nxënës. Do të vazhdojmë me përsosjen e kurrikulës në mënyrë që një student i Vushtrrisë merr një diplomë të jetë i aftë të kryejë atë punë dhe të njihet edhe në vende tjera. Dhe do ta rrisim buxhetin për rininë, kulturën dhe sportin”, tha ai.

Të ngjashme