Drejtori i Drejtorisë së Infrastrukturës në Komunën e Prishtinës, Krenar Xhaferi ka pritur në takim ish-drejtorët e kësaj drejtorie që nga paslufta.
Xhaferi ka thënë se ky takim ishte një rast i mirë për t’iu shprehur mirënjohje për kontributin e tyre dhënë zhvillimit të Kryeqytetit dhe mirëqenies së qytetarëve të saj.
“Sot, pata nderin dhe kënaqësinë të mirëpres ish- Drejtorët e Drejtorisë së Infrastrukturës në Komunën e Prishtinës, të cilët kan udhëhequr me këtë drejtori që nga viti 2000 e tutje. Ishte një rast i mirë për t’iu shprehur mirënjohje për kontributin e tyre dhënë zhvillimit të Kryeqytetit dhe mirëqenies së qytetarëve të saj”, ka thënë Xhaferi.
Ai tutje ka thënë se ishte me shumë interes dhe vlerë bashkëbisedimi, shkëmbimi i përvojave dhe ideve që do të ngërthehen në hartimin e projekteve të ardhshme të Prishtinës.
Në takim ishin: Vesel Makolli, Drejtor i parë, viti 2000-2001, Simon Agustini 2001-2003, Abdurrahman Krasniqi 2003-2007, Ridvan Shahini 2007-2013, Hysen Durmishi 2013-2017 dhe Gëzim Mehmeti 2017-2021.
Xhaferi ka theksuar se drejtorët janë ndërruar, por esenciale ishte angazhimi i tyre dhe përkujdesja për infrastrukturën – që mbulon një segment të rëndësishëm të Komunës së Prishtinës.
“I lumtur që organizova këtë takim dhe falenderues për praninë e tyre. U dëshirova shëndet dhe gëzime në vitin që po hyjmë”, teksa ka theksuar se këto takime do të dëshiroja të bëhen traditë e Komunës së Prishtinës.