Mesfushori i Arsenalit, Granit Xhaka, ka deklaruar se skuadra e tij mund ta përballojë mungesën në Ligën e Kampionëve për të tretin sezon radhazi, për këtë arsye e do me ngulm triumfin në Ligën e Evropës.
Klubi londinez e humbi mundësinë e kualifikimit në sezonin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve përmes top katërshes së Premierligës, pas një ecurie të dobët me vetëm një fitore në pesë ndeshjet e fundit të sezonit.
Megjithatë, Arsenali e ka edhe një mundësi të fundit për ta siguruar një vend në sezonin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve, përmes finales së Ligës së Evropës kundër klubit tjetër nga Londra, Chelseat.
Granit Xhaka është i vetëdijshëm se mungesa në sezonin e tretë radhazi të Ligës së Kampionëve mund të jetë mjaft shqetësuese për Arsenalin.
“Ne duhet të jemi në Ligën e Kampionëve. Të gjithë lojtarët, tifozët, klubi – ne duam të luajmë kundër ekipeve më të mira dhe ekipet më të mirë janë në Ligën e Kampionëve”, ka thënë Xhaka.
“Ne flasim për këtë sezon – çfarë shkoi keq, çfarë shkoi mirë, çfarë mund të ndodhë nëse ne e fitojmë titullin e Ligës së Evropës”.
“Ne e patëm një sezon të mirë, por e humbëm rrugën tonë në pesë ndeshjet e fundit. Por, nëse je në finale të Ligës së Evropës dhe mund ta marrësh një trofe, të kualifikohesh në Ligën e Kampionëve… e pranojmë këtë”.