Mesfushori Granit Xhaka shpreson që ylli i Portugalisë, Cristiano Ronaldo, të marrë një karton të verdhë në ndeshjen kundër Andorrës të shtunën dhe të mungojë kundër Zvicrës tri ditë më vonë.
Këtë dëshirë e ka shprehur të enjten mesfushori i Arsenalit në një intervistë dhënë gazetës zvicerane “Blick”.
Ndeshja ndërmjet kampiones në fuqi të Evropës, Portugalisë dhe Zvicrës, që luhet në Lisbonë, është e fundit e ciklit eliminator për “Rusia 2018” dhe pritet të vendosë për lideren e grupit, e cila siguron direkt pjesëmarrjen në Botëror. Vendi i dytë në grup siguron ndeshjet e barazhit, transmeton Koha Ditore.
Zvicra aktualisht mban vendin e parë me 24 pikë, ka fituar të gjitha tetë ndeshjet, kurse Portugalia është e dyta me 21 pikë në Grupin B. Ka fituar shtatë ndeshje dhe ka humbur atë kundër Zvicrës.
Por, para se të përballen me njëra-tjetrën, Zvicra dhe Portugalia të shtunën do të kenë edhe nga një ndeshje.