Një lexues i mrekullueshëm i lojës me pjesëmarrje të mahnitshme në lojë dhe pasime të mprehta, apo një mesfushor me tipare të dobëta defansive që i kushton ekipit të tij me shumë gola? Pak lojtarë marrin kritika të tilla si mesfushori shqiptar i Arsenalit, Granit Xhaka.
Kështu e nis shkrimin për mesfushorin e Zvicrës, agjencia prestigjioze e lajmeve, “Reuters”.
Xhaka, që sivjet kreu sezonin e dytë me Arsenalin, ishte i dyti për më së shumti pasime të kompletuara në Premier Ligë. Ai ishte i 16-i për ndërhyrje me 72. Adhuruesit e Xhakës thonë se këto statistika e kompletojnë si lojtar.
Megjithatë, kritikët e ti thonë se ai nuk e bën as punën sulmuese e as mbrojtëse ashtu siç duhet. Pjesë e problemit të Xhakës tek Arsenali, sipas “Reuters”, është edhe loja që ai bën në pozitën e ngjashme me të Patrick Vieiras, dhe shpeshherë krahasohet me francezin që dominonte në mesfushë me ndërhyrjet kyçe në periudhën e artë të francezit Arsene Wenger, transmeton Koha.net.
Sa i përket lojës për Zvicrën, për të nuk ekzistojnë këso krahasime.
Xhaka, i lindur në Basel dhe me prejardhje shqiptare, ishte larguar nga Kosova pasi babai i tij Ragipi kishte kaluar tre vjet e gjysmë si i burgosur politik.
“Krenar për prejardhjen, ai ka përkrahur anëtarësimin e Kosovës në FIFA dhe në një kohë parashikohej se do të luante për këtë kombëtare”, shkruan “Reuters”.
Në fillimin e karrierës, Xhaka luajti më shumë në rolin sulmues prapa linjës sulmuese, por ishte kthyer më prapa kur kapiteni Gokhan Inler mori pozitën. Ai njihet për pasimet e shkurtra që ngadalësojnë lojën dhe lirojnë presionin dhe për pasimet e gjata që hapin mbrojtjen kundërshtare.
Ky medium shkruan se nën pak presion në krahasim me lojën tek Arsenali, ai mund të shkëlqejë në Rusi në Botëror.