Xhamia “Haxhi Ibrahim Devolli” tubon shumë xhematlinj në ligjëratën për nder të profetit Muhamed

Prishtinë | 16 Tet 2022 | 14:28 | Nga Ekonomia Online

Xhamia e “Haxhi Ibrahim Devollit” në Pejë të shtunën ishte më e mbushur se zakonisht për namazin e akshamit. Këshilli i Bashkësisë Islame në Pejë, organizoi aty një program fetar për të shënuar ardhjen në këtë jetë të pejgamberit Muhammed.

Imami nga Mitrovica, Ekrem Avdiu, i cili ishte mysafir special i gjithë ngjarjes u ftua të ligjërojë për temën “Muhamedi shëmbëlltyra ynë”.

Në fjalimin e tij njëorësh, Avdiu çmoi lartë veprimtarinë e figurën e profetit të fundit islam, Muhamedit.

“Islami është zgjedhja hynore. Zoti zgjodhi që islami të jetë feja e njerëzve. Kjo fe është tërësi e gjitha atyre mësimeve të cilat për herë të fundit i janë shpallë Muhamedit. Ndërsa, ato mësime u janë shpallur pejgamberëve prej të parit, deri tek i fundit. Pejgamberët e Allahut kanë përjetuar vështirësi të jashtëzakonshme ardhjen e shpalljeve nga Zoti. Muhamedi kur ka pranuar shpallje ka përjetuar gjendje shumë të rëndë, si fizike ashtu edhe intelektuale. Thonë ata që ishin dëshmitarë, që e kemi parë ballin e Muhamedit duke pikuar djersë”, tha Hoxhë Ekrem Avdiu.

Një pjesë më të gjerë të ligjeratës së Ekrem Avdiut të mbajtur të shtunën në xhamin “Haxhi Ibrahim Devolli”, mund ta ndiqni në vegzën si më poshtë:

Të kënaqur me ardhjen e xhematlinjëve u shprehën edhe drejtuesit e xhamisë “Haxhi Ibrahim Devolli”.

“Në xhaminë tonë e kemi pas një organizim kushtuar jetës dhe veprimtarisë së profetit Muhamed, respektivisht me ligjeratën “Muhameti shëmbylltyra e njërzimit”, ku e patëm mysafir hoxhën e nderuar mulla Ekrem Avdiu. Jam i kënaqur me ardhjen e xhematit, edhe pse ka pasë mundësi të ketë edhe më shumë, por duke marr parasysh kohën jam i kënaqur me të pranishmit”, tha Kushtrim Kelmendi, kryeimiam i xhamisë.

Nga ana tjetër, kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Pejë, Musli Arifaj në fjalën e tij përshëndetëse theksoi se aryeja që nxiti të rikujtohet personaliteti, jeta dhe vepra e Muhamedit, ishte dashuria që besimtarët kanë për të, si dhe të njihen më shumë vlerat, mësimet dhe virtytet e tij.

“Ne sonte jemi në vazhdën e aktiviteteve si BIK në Pejë që kemi bërë gjatë këtij muaji, dhe aktivitetet gjatë muajit do të vazhdojnë si me takime por edhe me ligjërata në vazhdën e punës që kemi”, deklaroi kryetari i Bashkësisë Islame në Pejë, Mulla Musli Arifaj.

Të pranishmit që për rreth 2 orë ishin pjesë e kësaj ngjarjeje ku përcollën ligjeratën  e imamit Avdiu, u shprehën të kënaqur me atë se çfarë dëgjuan.

“Unë Ekrem Avdiun e njoh prej 81-të, nuk kam se çka të flas për të. Prej dietarëve që kemi ne, lum që e kemi Ekremin në vendin tonë”, tha Adem Zeqiri.

Kishte edhe të atillë që u njoftuan edhe nga të tjerët për këtë ligjëratë dhe nuk hezituan që të ishin pjesë e saj.

“Një shok më ka ftuar, e çmoj ftesën që ma ka bërë. Hoxhën që e kishin thirr e vlerësoj shumë. Përfituam nga ai në këtë ligjëratë, ndihem i nderuar që isha këtu”, Genc Hasani.

Programi në fund u pasurua me ilahi të kënduara nga vëllezërit Menduh dhe Deniz Allajbeg që erdhën nga Prizreni.

Të ngjashme