Dëshmoret Xhevë e Fehmi Ladrovci janë kujtuar në 25 vjetorin e rënies së tyre. Qytetarë e personalitete publike kanë bërë homazhe te varrezat e tyre në fshatin Gllanasellë të Drenasit.
Ndër ta ishte edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Ai nën shoqërinë e kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti e kreut të PDK-së, Memli Krasniqi kanë bërë homazhe te shtatoret e Xhevë e Fehmi Lladrovcit në qytetin e Drenasit.
“Heronjtë e Kombit, Fehmi e Xhevë Lladrovci ishin simbol i qëndresës, krah i fortë i lëvizjes për liri e pavarësi. Gjithmonë të parët në rresht, ata luftuan dhe ranë bashkë. Fehmiu dhe Xheva, të cilët kisha fatin edhe t’i njoh nga afër, janë themelet e Kosovës së lirë, Kosovës shtet. I kujtojmë me respektin më të thellë po ashtu bashkëluftëtarët e tyre, Shefqet Zeka e Fatime Hetemi, dhe të gjithë dëshmorët e Brigadës 114, që me krenari mbajti emrin e Fehmi Lladrovcit. Në këtë përvjetor, përulemi me nderim para veprës së tyre heroike. Ata do të jenë gjithmonë udhërrëfyesit tonë në rrugën për ndërtimin e shtetit”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.