Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, po merr pjesë në “Konferencën e Nivelit të Lartë Ministror për Përmirësimet në Administratën Publike përmes Bashkëpunimit Rajonal ” organizuar nga ReSPA (Shkolla Rajonale për Administratë Publike).
Ministri Yagcilar prezantoj në panelin ministror së bashku me kolegët e tij nga rajoni dhe Komisioni Evropian. Në fjalimin e tij Ministri ka folur për prioritetet, zhvillimet si dhe sfidat në fushën e Reformave të Administratës Publike.
Ai foli për zhvillimet dhe progresin e arritur në administratën publike në Kosovë sa i përket politikave, legjislacionit dhe dokumenteve strategjike si : Agjenda e Reformave Evropiane, Strategjia e Modernizimit të Administratës Publike, etj.
Ministri Yagcilar foli edhe për sukseset e Qeverisë duke e përmendur se në vitin 2018, qeveria e Kosovës ka votuar pakon ligjore gjithëpërfshirëse për reformën e administratës publike e cila përmban tri ligje të rëndësishme si: ligjin për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore dhe agjencive të pavarura, ligjin për zyrtarët publikë dhe ligjin për pagat në sektorin publik. Parlamenti i Kosovës, në leximin e parë ka votuar në favor të ligjeve.
Ministri Yagcilar elaboroi edhe për ndryshimet kryesore në legjislacionin e ri përfshirë: transformimin e procesit të rekrutimit të nëpunësve civilë duke prezantuar metodën e centralizuar të rekrutimit i cili do të reduktojë ndjeshëm ndërhyrjen politike në proces; krijimin e një kornize rregullatore të qartë dhe të qëndrueshme për pagat për tërë sektorin publik, duke e bërë sistemin më llogaridhënës, transparent dhe efikas dhe duke vendosur kontroll në procesin e menaxhimit dhe zgjerimit të administratës shtetërore, veçanërisht në lidhje me procesin e organizimit të agjencive.
Ai më tutje foli edhe për digjitalizimin e shërbimeve publike dhe shpalosi arritjet e Kosovës në këtë fushë.
Ministri në fund të fjalës së tij tha se,ReSPA vazhdon të jetë një partner i rëndësishëm në modernizimin e administratës publike në Kosovë, Në këtë aspekt mendoj se vendet tona duhet të kenë administrata publike të cilat e kanë besimin e qytetarëve të saj dhe aftësinë për të zbatuar reformën e integrimit evropian. Ne ballafaqohemi me probleme të përbashkëta dhe duke ndarë dhe duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin, ne mund t’i adresojmë problemet tona në mënyrë më efektive.