Ministria e Administratës Publike e mbështetur nga Zyra e Projektit të BE-së për përkrahje të Reformave të Administratës Publike, në bashkëpunim me komunën e Prizrenit ka mbajtur një tryezë për konceptin e realizimit të Qendrës se Shërbimeve për Qytetarë (One Stop Shop-OSS).
Në këtë tryezë pos ministrit të MAP-it ,Mahir Yagcilar, dhe kryetarit të komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka, ishin të pranishëm edhe zëvendësministra dhe përfaqësues nga shumë institucione te pushtetit qendror dhe atij lokal.
Yagcilar në fjalën e tij tha se, Ministria e Administratës Publike në kuadër të Reformave të Administratës Publike synon të modernizojë shërbimet publike për qytetarët, bizneset dhe OJQ-të, duke përmendur edhe hapat e bërë në drejtim të finalizimit të Koncept- dokumentit për qendrat e shërbimeve për qytetarë (One stop shop), që pritet të aprovohen së shpejti. Po ashtu, Yagcilar foli për përkushtimin e MAP-it/ ASHI për mbështetjen dhe realizimin e projektit të parë Pilot të Qendrës së Shërbimeve për Qytetarë në komunën e Prizrenit.
Yagcilar, pohoi se Ministria e Administratës Publike, zotohet se më ndihmën e të gjitha palëve të interesit dhe të partnerëve donatorë të punojë në të mirë të qytetarëve, duke iu ofruar shërbime moderne dhe duke përmirësuar kualitetin e jetës së tyre. Për këtë çështje një falënderim i veçantë iu dedikua Komisionit Evropian për mbështetjen e Projektit për Modernizim të Administratës Publike.
Në këtë tryezë diskutimet u përqendruan për Koncept dokumentin e përpiluar dhe të prezantuar nga eksperti i angazhuar përmes projektit të Komisionit Evropian dhe realizimin e projektit Pilot të Qendrës së Shërbimeve për Qytetarë (One Stop Shop-OSS) në lokacionin e komunës së Prizrenit.
Ndërkaq, kryetari i komunës, Mytaher Haskuka duke falënderuar Yagcilar për përkushtimin e tij gjithashtu shprehu gatishmërinë e komunës për të kontribuar në realizimin e suksesshëm të këtij projekti Pilot, për komunën e Prizrenit. Më pas, përveç prezantimit të Koncept dokumentit u prezantua edhe projekti fillestar i dizajnit të hapësirave për Qendrën e Shërbimeve për Qytetarë në komunën e Prizrenit, që u shoqërua me diskutime dhe konkluzione, që shërbejnë për finalizimin e suksesshëm të projektit në fjalë.