Yll Rugova do të jetë një nga kandidatët në listën e Vetëvendosjes për asamblist në Kuvendin Komunal të Prishtinës, bartës i së cilës është kryetari aktual Shpend Ahmeti, i cili do të garojë edhe për një mandat katër vjeçar në kryeqytet.
Rugova, përmes një publikimi në rrjetin social “Facebook” ka sqaruar se pse është pjesë e kësaj liste.
Ai shkruan se synimet e tij politike tash e sa vite lidhen me Prishtinën.
“Para disa javësh i kam ofruar Shpendit dhe Dardanit që të bashkangjitem, me idenë që të jap kontributin në zhvillim të kulturës. Është domosdoshmëri ndërhyrja urgjente në këtë fushë. Aty, me mbështetje edhe të komunitetit dhe bashkmendimatërve duhet të inicojmë ndryshime rrënjësore, të cilat me shpresë nga niveli i kryeqytetit pastaj e ndikojnë edhe nivelin qëndror”, shkruan ndër të tjerash Rugova.
Lexoni të plotë shkrimin e tij në Facebook:
Pse jam në listën e Vetëvendosjes për Prishtinën?
Synimet e mia politike—të cilat nuk është se gjithmonë i kam artikuluar publikisht—tash e sa vjet, lidhen me Prishtinën. Në 2013 kemi garuar si PF veç në Prishtinë, me bindjen që çfarëdo ndryshimi në Kosovë inicohet së pari me ndryshimet në Prishtinë. Vazhdoj të besoj fuqishëm në këtë ide. Vitin e kaluar, së bashku me disa bashkmendimtarë, e kemi themeluar organizatën Për Prishtinën me cak zhvillimin e kryeqytetit. (Për këtë do ta shkruaj një tekst në ditët në vijim).
Para disa javësh i kam ofruar Shpendit dhe Dardanit që të bashkangjitem, me idenë që të jap kontributin në zhvillim të kulturës. Është domosdoshmëri ndërhyrja urgjente në këtë fushë. Aty, me mbështetje edhe të komunitetit dhe bashkmendimatërve duhet të inicojmë ndryshime rrënjësore, të cilat me shpresë nga niveli i kryeqytetit pastaj e ndikojnë edhe nivelin qëndror.
Shpendi dhe Dardani kanë qenë shumë mikëpritës dhe tashmë edhe zyrtarisht do të jem pjesë e ekipit në garën e zgjedhjeve të 22 tetorit.
Besoj fuqishëm në çasjen politike e programore të Shpendit në mandatin e kaluar. Jam i bindur se nëse kontribuojmë edhe të tjerët bashkarisht zhvillimi i Prishtinës do të shumëfishohet. Jam mirënjohës poashtu, që Shpendi dhe Vetëvendosja janë të hapur të pranojnë si pjesë të ekipit të tyre edhe pjestarë të shoqërisë civile, pa qenë të involvuar në parti. Megjithëse, unë edhe haptazi e them, se ndryshimi pozitiv që po ndodhë graviton përreth Vetëvendosjes si një organizim i mirëfillt politik në Kosovë. Dhe unë mbase nuk jam pjesë e partisë Vetëvendosje, por gjithsesi mendimi im politik është pjesë e Vetëvendosjes si lëvizje gjithëpopullore.
#përprishtinën #shpendiedhe4