Juventusi konfirmon se sulmuesi Randal Kolo Muani i është nënshtruar me sukses operacionit për një frakturë në dorë, pas fitores 2-0 ndaj Atalantës.
Qendërsulmuesi e kishte pësuar lëndimin gjatë një përplasjeje aksidentale në fitoren e mbrëmshme në Serie A në “Allianz Juventus Stadium” në Torino.
Atij iu diagnostikua një frakturë e falangës proksimale, çka e bëri të nevojshme ndërhyrjen kirurgjikale me osteosintezë.
Operacioni u krye sot në qendrën “J|medical” në Torino, pjesë e kompleksit Continassa të klubit, nga De Loris Pegoli.
Kolo Muani mund t’i rikthehet stërvitjeve pas disa ditësh, ndaj do të jetë i gatshëm për trajnerin Luciano Spalletti gjatë pushimit për ndeshjet e kombëtareve.
Ish-ylli i Paris Saint-Germainit ka shënuar një gol dhe ka dhënë dy asistime në gjashtë ndeshje në të gjitha garat për “Bianconerët” deri më tani këtë sezon.
Juventusi ka një listë të gjatë mungesash, ku përfshihen Manuel Locatelli, Kenan Yildiz, Khephren Thuram, Juan Cabal, Andrea Cambiaso, Kamil Grabara, Jeremie Boga dhe Jeff Ekhator.
Në ndeshjen e djeshme, edhe Edon Zhegrova u paraqit, ndonëse luajti për vetëm 18 minuta. Ylli kosovar asistoi për golin e Gleison Bremerit në minutën e 77-të.
Kolo Muani, në anën tjetër luajti për 89 minuta.
Ai u transferua te Juventusi këtë verë, për shumën e 41.2 milionë eurove.
Ai ishte edhe më parë te Juventusi, mirëpo si i huazuar, gjatë edicionit 2024/25.
Sezonin e kaluar, francezi e kaloi në huazim nga PSG-ja te Tottenhami.