Gjendja e punëtorëve në sektorin privat s’ka shënuar ndonjë përmirësim dhe në shumë ndërmarrje vazhdon të mos respektohet Ligji i Punës në tërësi, vlerëson Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari, raporton Ekonomia Online.
Në konferencën për medie ku është prezantuar raporti i këtij instituti në prag të 1 majit, ditë së punëtorëve, Visar Ymeri, tha se Kosova ka shënuar progres në miratimin e legjislacionit për të drejtat e punëtorëve, por që zbatimi i tij ka ngecur.
“Legjislacioni për të drejtat e punëtorëve është avancuar dhe ka arritur nivel të kënaqshëm mirëpo problemin kryesor është moszbatimi i tij. Kur flasim për pagë minimale ajo nuk ka ndryshuar prej vitit 2011. Kur flasim për shëndetin dhe sigurinë në punë disa prej sektorëve kemi parë përkeqësim në këtë fushë. Mundësitë e barabarta për gra dhe burra mbetet e njëjtë sepse kanë humbur shpresën se mund të punësohen. Dhe çështja e fundit mos respektimi i ligjit të punës”, tha ai.
Ymeri tha se nga të dhënat që kanë marrë nga Inspektorati i Punës del, 12 për qind e tyre s’kanë kontratë pune e të drejtën e pushimit.
“Ne kemi bërë kërkesë te inspektorati i punës del se janë parashtruar 10, 342 ankesa. Shihet që punëtorët në sektorin privat ka shumë ankesa dhe shkelje të ligjit të punës. Gjatë vitit 2020 kanë bërë 3 882 inspektime nga të cilat kanë gjetur 460 punëtorë kanë rezultuar pa kontratë punë. 12% te punëtorëve i bie që nuk kanë kontrata pune e nuk mund të gëzojnë të drejtat e pushimit. Në 39 subjekte punëtorët nuk kanë qenë të informuar për rreziqet e punës siç është sektori i ndërtimtarisë. Gjatë vitit 2020 nga inspektorati është raportuar 105 lëndime të lehta 55 lëndime të rënda, 11 humbje jete. Prej ankesave nga punëtoret 274 sosh kanë pasur të bëjnë me të drejtën e pagës”, tha ai.
Komunikata e plotë:
1 maji i këti viti, Kosovën e gjen në një situatë më të rënduar sesa vitet e kaluara. Pandemia Covid-19 ka ndikuar thellësisht duke e vështirësuar jetën ekonomike dhe sociale në vend. Për më shumë, kësaj gjendje i ka kontribuar situata e dobët dhe jostabile në rrafshin politik. Për katër vite, në Kosovë u rrëzuan tri qeveri dhe u mbajtën tre palë zgjedhje. Nuk po themi se nuk duhet të mbahen zgjedhje, kur qeveritë nuk arrinë t’i kenë numrat. Por, partitë politike të cilat e marrin drejtimin e qeverisë, në rend të parë duhet ta kenë njëmend qytetarin, e sidomos në një situatë të një « lufte » pandemike.
Legjislacioni që sanksionon të drejtat e punëtorëve në Kosovë ka ndryshuar dhe është përmirësuar në krahasim me situatën e para një dekade. Megjithatë qasja vazhdon të jetë problematike. Ekonomia e Kosovës vazhdon ta mbajë punëtorin në nivel mbijetese e jo ta avansojë atë drejt jetesës më të mirë. Kështu rregullat bazike, sikur ato të pagës minimale, por edhe aspekte të rëndësishme të ligjit të punës garantojnë mbrojtje minimale.
Pragu i pagës minimale prej 130 dhe 170 euro – mbetet ende një çështje që duhet adresuar dhe ndryshuar në raport me rritjen e çmimit të jetesës. Qeveria e Kosovës duhet të mos e neglizhojë vendimmarrjen e duhur e të analizuar, në raport me këtë rritje, duke u bazuar në formula të qarta e të sakta të caktimit të pagës minimale.
Shëndeti dhe siguria në punë – përveç sektorëve të caktuar, që janë përmirësuar minimalisht, gjendja e përgjithshme, e veçanërisht te disa sektorë të caktuar është rënduar.
Mundësitë e barabarta për gratë dhe burrat – barazia në punësim mes gjinive mbetet shumë e largët.
Mosrespektimi i Ligjit të Punës – vazhdon të jetë problematike puna me kohë të pjesshme, mungesa e kontratave të punës, kontrata me kohë të caktuar, orët shtesë të punës të papaguara.
Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari” ka kërkuar nga Inspektorati i Punës dhe ka hulumtuar të dhënat për gjendjen e sigurisë dhe shëndetit në punë në Kosovë.
Nga të dhënat rezulton se:
10432 ankesa janë parashtruar në Inspektoratin e Punës, 9801 në sektorin publik dhe 646 në sektorin privat. Numri më i madh i ankesave ka qenë realizimi i të drejtës për pagën jubilare.
3832 inspektime janë kryer sipas planifikimeve të Inspektoratit të Punës. Nga këto janë gjetur gjithsej 460 punëtorë pa kontratë pune – prej të cilëve 316 burra dhe 144 gra. Kjo i bie pak më shumë se 12% të punëtorëve në vend pune të cilët nuk kanë fare kontratë.
39 subjekte nuk kanë informuar punëtorët për rreziqet në vend të punës, për masat mbrojtëse dhe parandaluese.
Në 105 subjekte punëtorët nuk janë aftësuar për ndihmë të parë, evakuim dhe shpëtim
225 subjekte punuese nuk e kanë bërë vlerësimin e riskut në vend të punës
5 punëtorë të moshës nën 18 vjeç janë trajtuar
105 lëndime të lehta gjatë vitit 2020
55 lëndime të rënda
11 vdekje në punë
110 subjekte nuk e kanë realizuar të drejtën në pushim vjetor në pajtim me Ligjin Nr.03/L-212 të Punës, nga të cilët:
41 subjekte nuk e kanë respektuar pushimin ditor
47 subjekte nuk e kanë respektuar pushimin javor
10 subjekte nuk e kanë respektuar orarin e rregullt të punës
8 subjekte nuk e kanë respektuar orarin e punës në ndërrimin e natës
274 ankesa janë paraqitur në lidhje me të drejtën e kompensimit të pagës
460 ankesa janë paraqitur për shkeljen e së drejtës në pagesën e kontributeve pensionale
43 raste janë trajtuar për çështje konkursi
10 raste të trajtuara për orarin më të gjatë të punës.