Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka reaguar pas shtyrjes së vendimit të sotëm të Gjykatës së Colmarit në Francë për Ramush Haradinajn.
Ai përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka shkruar se Ramush Haradinaj vazhdon të mbahet i ndaluar në Francë dhe se është peng i aktakuzave të montuara politike të Serbisë.
“Është e padrejtë që Ramush Haradinaj vazhdon të mbahet i ndaluar në Francë. Haradinaj sot është peng i aktakuzave të montuara politike të Serbisë. Pra po mbahet si peng i Serbisë”.
“Republika e Kosovës është shtet i pavarur nga Serbia. Juridiksioni i saj në Kosovë nuk ekziston. Atëherë si i bëhet që prokuroria e Serbisë paska efekt juridik mbi qytetarët e territorit të Kosovës?”
“Këtë nuk bën ta pranojë assesi Republika e Kosovës. Ramush Haradinaj është qytetar i Republikës dhe luftëtar vetëmohues për çlirimin e saj po nga Serbia. Aktakuzat e Serbisë nuk bën të pranohen. Nga askush në Kosovë. Nga askush që e ka njohur Kosovën si Republikë”, ka shkruar Ymeri.