Nënkryetari Partisë Socialdemokrate, Visar Ymeri, në një konferencë për medie ka thënë se paga minimale prej 170 euro duhet të ndryshoj në mënyrë që të përmirësohet pozita e atyre që kanë pak, derisa ka njoftuar se është dorëzuar kërkesa për interpelancë dhe pritet të mbahet pas dy javësh, raporton Ekonomia Online.
“Paga minimale në Kosovë është 170 euro dhe si e tillë është me ulëta krahasuar me vendet e rajonit. Kjo pagë nuk e mbulon as për së afërmi jetesën. Është e papranueshme që mijëra punëtorë që punojnë mbi 8 orë të paguhen minimalisht”.
“Që nga viti 2011 paga minimale ka vazhduar të jetë e njëjta ndërkaq pagat e sektorit publik janë rritur dy herë. Në vitin 2017 këshilli ekonomik social që ka për detyrë ta propozoj shumën e pagës minimale, ka propozuar që paga minimale të rritet 250 euro mirëpo që është kërkesë e shpërfillur nga Qeveria”.
Ymeri ka thënë se rritja e saj e ulë pabarazinë në të ardhura, edhe e rrit mirëqenien e përgjithshme.
“Rritja e saj e rrit sasinë e parave që qarkullojnë në treg. E rrit fuqinë blerëse. Interpelanca që e ka thirrur PSD-ja ka për qëllim që të ngrihet debati rreth kësaj çështjeje. Ekonomia e shoqëria zhvillohen bashkërisht. Edhe rritja e pagës minimale nuk ndikon negativisht në punësim, por do ta rris atë”.
“PSD-ja po propozon që ta nisim diskutimin në Kuvend e pastaj të shikohet se si të rritet kjo pagë. Pritet që pas dy javësh të mbahet interpelanca rreth pagës minimale, derisa kërkesa është dorëzuar të hënën ”, ka thënë Ymeri, raporton EO.
Ai tutje ka thënë se do të mbështesin të gjitha sindikatat e punëtorëve.
“Kundërshtimet rreth rritjes së pagës minimale janë të paqëndrueshme. Paga dinjitoze rrit produktivitetin e fuqisë punëtore. Ekonomia e shoqëria zhvillohen bashkërisht dhe paralelisht”.
“Ata që thonë që do të kujdesemi fillimisht për rritjen e kushteve të punës pastaj pagën minimale e pastaj kushtet e punës, e kanë shumë gabim. PSD-ja do të mbështes kërkesat e sindikatës së punëtorëve”, u shpreh ai.