Ish-lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, thotë se VV-ja gjatë fushatës elektorale ka dhënë shumë zotime për skemat sociale, por nuk ka treguar sesi do të realizohen e financohen ato, raporton Ekonomia Online.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Ymerit tha se qeveria e ardhshme duhet të përqendrohet në zvogëlimin e hendekut në mes të varfërve dhe të pasurve, në procesin më të mirë të rishpërndarjes se pasurisë, në krijimin e kushteve më të mira të punëtorëve në Kosovë, dhe veçanërisht duhet të fokusohet në krijimin e më shumë vendeve të punës, e që ju jepet përparësi më shumë grave dhe të rinjve.
“Këto janë katër pika të transformimit shoqëror që duhet t’i bëjë VV-ja. Nëse nuk i bën mendoj se ka dështua me i realizua premtimet e veta”,tha ai.
“Fatkeqësisht deri tani nuk kam parë që Lëvizja Vetëvendosje ka tregu sesi do të financohen këto skema, pra i ka dhënë si zotime, premtime të fushatës por nuk ka tregu saktë sesi do të realizohen këto, dhe mendoj që nuk kemi ndonjë analizë, të paktën të efekteve që këto do t’i arrijnë. Pra, si premtime janë shumë të mira nëse realizohen dhe kur realizohen pastaj do ta shohim cili është efekti real në terren, për shembull nëse flasim për këtë pushimin prindëror i cili siç është shpjeguar ka mundësi të ndahet në dysh në mes të nënës dhe babait, mendoj se kjo është e domosdoshme, është jashtëzakonisht e rëndësishme që barra për rritjen e përkujdesën ndaj familjes të ndahet mes dyve, pra të mos kemi diskrimimin brenda familjes, siç e kemi aktualisht. Pra, gruaja është ajo që pritet të rrijë në shtëpi dhe të kujdeset për shtëpinë, ndërkohë që burri është ai i cili potencialisht merr pjesë në jetën publike dhe mendoj që kjo duhet të ndryshohet”, tha ish-deputeti i Kosovës, për Ekonomia Online.
Në Kosovë, numri i grave punëkërkuese me shkollim të lartë është më i madh se sa numri i burrave, sipas Agjencisë së Statistikave. Ndërsa numri i të papunëve është i lartë tek gratë. Drejtori i institutit për Politika Sociale “Musine Kokalari”, Ymeri thotë se institucionet duhet të marrin masa më rigoroze që të përmirësojnë raportin e grave dhe të burrave në punësim.
“Por ndryshimi i kësaj e kërkon një transformim shoqëror, pra ky transformim nuk mund të bëhet përmes një mase, pra duhet disa masa që ky transformim shoqëror të realizohet. Pagesat pastaj që janë për pushimin e lehonisë për gratë e papuna që është 250 euro në muaj, kjo si masë mund të doket e mirë por realizimi i saj, së pari financimi i saj do të jetë sfidë dhe e dyta, pastaj me këtë masë mund të krijojmë ose ta mirëmbajmë një gjendje shoqërore në të cilën gruaja pritet të jetë ajo e cila rrinë në shtëpi, pra çka na duhet neve në Kosovë duhet masa ma rigoroze e serioze që e përmirësojnë raportin e grave dhe burrave në punësim pra siç kërkojmë që të kemi me drejtë përfaqësim të barabartë nëpër institucione, me po aq zell e fuqi duhet të kërkojmë që të kemi edhe raport të barabartë edhe në punësim, sepse kur t’i shohim këto shifra të papunësisë tek gratë janë alarmante, për shembull vetëm 12 për qind të grave janë të punësuara, vetëm 20 për qind e grave marrin pjesë në tregun e punës, 80 për qind nuk janë fare pjesë ë tregut të punës. Kjo nënkupton që 80 për qind e grave rrinë në shtëpi, ose ne themi rrinë në shtëpi, dhe pastaj këtë qëndrim në shtëpi punët e shtëpisë nuk ia numërojmë si punë, pra nuk ka mekanizma institucional që punën e kujdesit ndaj fëmijëve,e ndaj shtëpisë, ne nuk kemi mekanizëm që e njohin këtë si punë, dhe kjo prandaj na shprehet edhe në gjuhë me këto gabimet që e bëra edhe unë, ne themi se gruaja rrinë në shtëpi, a në fakt gruaja punën në shtëpi më shumë se burri që punon në punë dhe në këtë drejtim konsideroj që ky është transformimi shoqëror qe ne na duhet. Për këtë transformim, këto masa që i ka propozuar Lëvizja Vetëvendosje, janë të mira, mirëpo janë të pamjaftueshme e nganjëherë edhe mund të jenë të dëmshme”, u shpreh ai.
Qeveria e Kosovës ka marr vendim që të miratoj nismën për Marrëveshjen e Kredisë me Bankën Evropiane për Investime. Sipas qeverisë, kjo marrëveshje është për financimin e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme dhe qasjen në vaksinat kundër Covid-19.
Ymerit thotë se marrja e kredive nuk është shqetësim për vendin, por se ku shpenzohen ato para është me rëndësi të dihet.
“Nuk gjendet vetëm Kosova në krizë ekonomike por i tërë globi e veçanërisht hemisfera perëndimore. Në këtë drejtim konsideroj që krizat e thella ekonomike, pavarësisht se në cilin vend dhe në cilën epokë ndodhën ato, nuk mund të përballohen pa pasur një stimulim financiar që vjen nga jashtë, e ky stimulim financiar vjen nga institucionet publike në formë të kredisë që merret nga bankat tjera ose në forma tjera, mund të jetë edhe borxh i brendshëm”, tha ai për Ekonomia Online.
“Unë nuk e kam problem borxhin publik ose rritjen e tij, por më shumë e kam shqetësim se ku po shpenzohen ato para dhe për çka po i marrim do të thotë, një qeverisje e mirë, një qeverisje që ka vizion të zhvillimit ekonomik do ta financonte me kredi nga jashtë ose me borxh publik të brendshëm, pra prej bankave këto Fondi pensional e kështu me radhë, Mirëpo me këto do të bënte seleksionim të sektorëve, pra cilët sektorë krijojnë më shumë vende pune dhe cilët sektorë na e përmirësojnë bilancin tregtar, këto janë të rëndësishme. Pra nuk është ideja vetëm të mos marrim kredi, kredi duhet të marrim gjithsesi, por ku i shpenzojmë këto kredi për mua është pyetja kryesore”, shtoi ai.
“Tash në programin e Lëvizjes Vetëvendosje që nuk është shqua shumë në këto zgjedhje, por që ka qenë më shumë i theksuar në zgjedhjet e vitit 2019 ka qenë ideja e krijimit të një Bankë Publike që do të merrej me investimin strategjik të projekteve strategjike. Unë mendoj se kjo ishte ide shumë e mirë, këtë ide e ka pasë të theksuar edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në programin e vet ekonomik dhe mendoj se kjo do të duhet të ishte rruga përpara sepse bizneset në Kosovë edhe pa krizë, e veçanërisht për shkak të krizës, duhet t’i krijojnë mundësi të qasjes në kapital i cili është i leverdishëm dhe i përballueshëm”, u shpreh ish lideri i VV-së.
Tutje, ish-deputeti i Kosovës thotë se deri më tani nuk ka pasur ide transformative të ekonomisë nga asnjë parti politike.
“Pra deri tash, bankat në Kosovë nuk është se e kanë krijuar këtë mundësi sepse kamatat kanë qenë shumë të larta dhe në këtë drejtim konsideroj se duhet të kemi intervenim nga institucionet shtetërore që qasja në kapital të bëhet më e lehtë për bizneset në Kosovë, por pastaj duhet të ketë seleksionim të sektorëve strategjik. Për shembull, cilët sektor ne mendojmë me investua për të ardhmen, cilët sektorë krijojnë më shumë punësim, cilët sektorë krijojnë mundësi eksporti. Pra, kjo do të duhej të ishte logjika ekonomike që përdoret veçanërisht në kohëra krize. Deri tash fatkeqësisht nuk kemi parë se ka pasë një ide transformative të ekonomisë, fatkeqësisht as nga VV-ja në 50 ditë e qeverisjes. Gjithsesi nuk mund ta gjykojmë se ka qenë shumë shkurt dhe nuk mund të flasim shumë për atë periudhë, por mendoj që tashmë meqenëse nuk ka nevojë për koalicion me një parti tjetër, që VV-ja mund ta bëjë qeverinë e vetme në bashkëpunim me përfaqësuesit e komuniteteve jo serbe, atëherë e ka më të lehtë të qeverisë sipas idesë origjinale të saj dhe nëse këtë nuk e bën VV-ja mendoj se e humb një shans të rëndësishme për t’i ndërmarr disa veprime që do të na transformonin si ekonomi dhe rrjedhimisht edhe si shoqëri”, tha ai.