“Lëvizja Vetëvendosje është një njeri”, ka thënë Visar Ymeri duke ju referuar kryetarit aktual dhe themeluesit të Lëvizjes, Albin Kurti.
Ymeri në emisionin “Rubikon” të KTV-së, ka thënë se në partinë të cilën e drejtoi deri pak kohë më parë, i gjithë funksionimi është fokusuar në një njeri, duke e bërë atë të ngjashme me partitë tjera.
Me këtë Ymeri nënkuptoi AAK-në e PDK-në, për çka theksoi se nëse vazhdohet në këtë mënyrë, do të përfundojë në një praktikë të tillë.
“Nëse vazhdohet në këtë rrugë, unë po e shoh ketë përfundim dhe uroj të mos jetë ashtu. Politikëbërja në Kosovë ka nevojë të ketë qasje tjetër. Ne do vazhdojmë të jemi grup parlamentar i cili nuk do veçohet në emra po në ide”, ka thënë ai.
“Ka zëra në VV që do kundërshtojnë mirëpo hapësira po reduktohet”, shtoi ai.
Ai e uroi Kurtin në drejtimin e parisë ndonëse, siç tha, nuk ka pasur ndonjë mundësi deri tash ta bëj këtë personalisht.
Grupi i Pavarur Parlamentar nuk do ta votojë demarkacionin
Visar Ymeri në Rubikon të KTV-së theksoi se mbesin të vendosur në qëndrimin kundër kësaj marrëveshje. Ymeri tha se vendi humb territor me marrëveshjen ekzistuese.
“Nuk mund të ratifikohet një marrëveshje e cila përmban aq shumë gabime sa i përket vijës kufitare… E kemi marrëveshjen për demarkacion dhe e kemi raportin e Bulliqit që thotë se është e gabuar. Raporti Bulliqit e konstaton këtë gabim”, ka thënë ai.
“Ai komision e ka bërë një lloj auditimi se si është bërë ai proces, vetëm procesi si është bërë por jo edhe vija kufitare”, ka thënë ai duke ju referuar komisionit ndërkombëtar të themeluar nga ish-presidentja, Atifete Jahjaga.