Policia britanike lëshoi një deklaratë në emër të vajzës së ish-spiunit rus, Sergei Skripal, për herë të parë prejse ata dy janë helmuar me agjent nervor në muajin mars.
“Jam zgjuar rreth një javë më parë dhe jam e lumtur të them se fuqia ime po rritet dita-ditës”, tha përmes deklaratës Yulia Skripal.
Ajo dhe babai i saj, i cili mbetet në gjendje të rëndë, por stabile, janë në një spital në Sallsbëri të Anglisë që nga sulmi kundër tyre, më 4 mars.
Yulia po ashtu tha se është mirënjohëse për shumë mesazhe të vullnetit të mirë që ajo ka pranuar.
Britania thotë se Rusia, pothuajse me siguri, duhet fajësuar për sulmin kundër Skripalëve, por Moska e mohon përfshirjen.
Incidenti ka shkaktuar krizë diplomatike – shtetet perëndimore dhe Rusia i kanë dëbuar njëra-tjetrës dhjetëra diplomatë.