Zâ Fest është festivali i parë shqiptar që organizohet me synim vënien në pah të trashëgimisë kulturore dhe të bukurisë natyrore në Alpet Shqiptare, duke shërbyer njëkohësisht si një formë e mirë komunikimi me qëllim rritjen e ndjeshmërisë së komunitetit dhe vizitorëve për mbrojtjen e mjedisit, njoftojnë organizatorët e festivalit.
Në Zâ Fest do të performojnë muzikantët dhe kantautorët shqiptarë më në zë në vend dhe më gjerë në Evropë si: Vlashent Sata, Elina Duni dhe Shpat Deda.
Aktori me famë ndërkombëtare, Arben Bajraktaraj do të rrëfejë për publikun gojëdhënat, tregimet, dhe përrallat e moçme, si trashëgimia më e vyer e paraardhësve tanë në këto vise.
Festivali, drejtor artistik u të cilit është Vlashent Sata, zhvillohet në Theth, të shtunën, me date 26 gusht 2017.