Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, në një intervistë për radion malazeze “Antena M”, tha se NATO-ja dhe BE-ja janë alternativa e vetme për Maqedoninë dhe se pret reagim të ashpër nga Rusia, kur do të vijë koha për pranimin e vendit në Aleancën Veriatlantike.
Zaev në intervistë tha se është i gatshëm për reagim të ashpër nga Moska, njëjtë siç ishte rasti edhe me pranimin e Malit të Zi në NATO, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Reaguan për Malin e Zi, ne jemi të gatshëm sepse vendi im nuk ka alternativë. Përsërisa ne duam të avancojmë bashkëpunimin me Rusinë, duam për shembull atje sa më shumë të shesim domate, lakër dhe produkte të tjera bujqësore. Megjithatë, nuk kemi alternativë, zgjidhja jonë është BE-ja dhe NATO-ja”, theksoi Zaev.
Ai thotë se është i gatshëm jo për realizimin e këtyre qëllimeve sepse, siç nënvizon, ky është opsioni i vetëm.
“E di se ka pasur përpjekje për likuidime dhe është mirë që me kohë është reaguar dhe ajo është penguar. Disa analistë më thonë “tani ti e ke radhën”. Nëse diçka duhet të ndodhë, le të ndodhë. Unë e kam pranuar punën e kryeministrit, vendit tim i duhet lider dhe jam i gatshëm të marr vendime siç presin qytetarët tanë, me çdo çmim dhe le të bëhet çfarë të bëhet”, deklaroi kryeministri Zoran Zaev, duke shtuar se ai është i bindur se Maqedonia do të bëhet anëtarja e 30-të e NATO-s.