Një ditë pas dhunës në Parlamentin e Maqedonisë, ku u plagos edhe vetë, kandidati për kryeministër i Maqedonisë, Zoran Zaev, tha se ajo e mbrëmshmja ishte një tentativë për vrasjen e tij.
“Ajo që ndodhi mbrëmë ishte tentim për vrasje, kishit rastin ta shihni edhe vetë. Ishte një veprim i koordinuar edhe nga forcat policore”, tha Zaev.
“Kemi bërë një hap të madh në proceset demokratike sipas shumicës parlamentare, kemi bërë hapin e parë me zgjedhjen e kreut të Kuvendit dhe do të vazhdojmë me formimin e institucioneve të tjera. Uroj Xhaferin dhe përkujtoj se e mbështesim atë fort”, tha Zaev.
Duke komentuar dhunën e mbrëmshme, Zaev, i cituar nga “Alsat-M” tha se një pjesë e dhunuesve ishin pjesëtarë të policisë ndërsa disa të tjerë i cilësoi si banditë që kishin për qëllim likuidimin e tij.
Ai tha se nuk do t’i përgjigjet ftesës së Ivanovit, duke e cilësuar atë si përgjegjës për atë që ndodhi mbrëmë brenda dhe jashtë Kuvendit.
Ndërkohë, më herët edhe partitë shqiptare kanë refuzuar ftesën e Presidentit Ivanov për takim me krerët e partive politike në përpjekje për të zgjidhur krizën. Ali Ahmeti tha se Ivanov është përgjegjës për gjendjen e sotme të Maqedonisë.