Ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut dhe kreu i LSDM-së, Zoran Zaev, ka thënë se zgjedhjet e parakohshme parlamentare në këtë vend do të mbahen më 5 korrik, me gjithë shtimin e rasteve me COVID-19.
Ai ka thënë se vendit i duhen institucione funksionale.
“Për shkak të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve, zgjedhjet janë zgjidhje, kurse data për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve tashmë është punë e kryer. Zgjedhjet do të mbahen më 5 korrik në mënyrë që sa më shpejtë të ketë Kuvend funksional dhe Qeveri politike”, tha mes tjerash Zaev, përcjell Alsat-M.
Partitë opozitare kanë kundërshtuar mbajtjen e zgjedhjeve në kohë pandemie.
Ndërkohë në Maqedoni po vazhdon të shtohet numri i të prekurve me COVID-19, qëkur janë liruar masat për parandalimin e infeksionit. Dje u regjistruan 62 raste të reja dhe pesë të vdekur. Gjithsej në këtë vend janë shënuar 2.226 raste me COVID-19, prej tyre janë shëruar 1.552, ndërkohë kanë vdekur 133 veta.