Zanati që po u siguron kosovarëve punë “jashtë shtetit” nga shtëpia dhe paga më të larta

Prishtinë | 13 Qer 2022 | 14:37 | Nga Ekonomia Online

Vullnet Selmani, 26 vjeçar, dikur kamarier, në një kafeteri të Ferizajt, kishte vendosur t’a ndryshojë rutinën ditore të punës, që e bënte për të siguruar një pagë.

Nga bota e espressos e makiatos, që në Kosovë konsumohen mjaftë, ai kishte vendosur të futet në një profesion “trendy” në fushën e IT’së, që shumëkujt në Kosovë i sjellë më shumë të ardhura.

Vullneti nuk është i shkolluar në Universitet apo kolegje private për programim. Ai është një “autodidakt” që ka mësuar përmes platformave online.

Ky i ri kosovar thotë se ka nisur punën si praktikant në një nga kompanitë e programimit për të marrë njohuritë reale – që sot të punojë si programues apo sic njihen në zhargon “programer”.

E kjo punë i ka sjellë punë stabile dhe mirë të paguar, ka treguar ai Gazetës Express.

“Në rast se jeni një Senior Programer do të keni një punë shumë të mirë dhe pagë te mirë”, thotë ai.

S’është e domosdoshme të studiosh shkenca kompjuterike që të kesh sukses në programim, rezulton përvoja e tij.

Ka edhe prej të rinjve që në programim kanë kaluar prej arkitekturës. Një rasti tillë vjen nga Arbiona Shahu, 27 vjeçare.

Sipas saj, përfitimet financiare në programim janë më të larta sesa në arkitekturë. Pos kësaj ka theksuar se qasja në tregun e punës është më e lehtë.

“Vertetë ka nevojë si në kompanitë vendore por edhe kompanitë e huaja për programues cilësorë”, ka thënë ajo.

Pos benefiteve, ekziston një rrugë që kërkon punë e durim për t’u bërë programer, i ka thënë Gazetës Express Ylber Veliu, ligjërues i programimit .

Ka treguar që për të qenë programer duhet të kesh njohuri bazike për gjuhën angleze, por edhe për matematikën.

“Çdo i ri duhet që fillimisht të përvetësojë gjuhën angleze. Pas përfundimit me bazat e gjuhës angleze duhet të përcaktohet se cila është gjëja që i pëlqen të bëjë me kompjuter apo thënë ndryshe cilën industri e targeton për punësim dhe kjo mandej e ndërron shtegun të cilin duhet ta ndjekë – p.sh. aftësitë që duhet nxënë për të zhvilluar në ueb dallojnë nga aftësitë që nevojiten për të krijuar lojëra, apo për të analizuar të dhënat”, ka thënë ai.

Për më shumë, ai ka folur për hapat që një person duhet të i marrë në procesin e të mësuarit të programimit.

“Janë disa melmesa pa të cilat asnjë drejtim nuk ka shije – ndër më të rëndësishmet janë: njohja e bazave të matematikës, njohja e një gjuhe programimi – nuk ka rëndësi se çfarë përzgjidhet shkaku se tranzicioni në gjuhë tjera mandej është një gjë e lehtë, strukturat e të dhënave, algoritmet, mostrat e dizajnimit të softuerit (ang. design patterns), principet S.O.L.I.D, njohja e mostrave të gabuara (ang. antipatterns) në mënyrë që t’i largohet përdorimit të tyr, etj”, tha Veliu. “Përpos aftësive teknike çdo i ri duhet të ketë parasysh që vetëm aftësitë teknike nuk mjaftojnë, ata duhet të pajisen edhe me aftësi të buta (ang. soft skills), aftësi për menaxhimin e kohës, durim, dhe konsistencë në punë”.

Veliu ka treguar që të rinjtë kosovarë janë konkurrues ndaj programerëve në Ballkanin Perëndimor.

Megjithatë, mbështetje direkte nga shteti për këtë lëmi nuk ka. Thotë se projekte i marrin nga donacionet e huaja.

Ky profesion është mbinacional – i përket globalizmit, për këtë edhe pagat janë të larta.

“Në botën e programimit nivelet e arritshmërisë profesionale në përgjithësi ndahen në tre nivele: junior, middle level, dhe senior; andaj, edhe pagat variojnë në bazë të nivelit që ka arritur individi – duke filluar nga 500 euro për nivelin e parë, 1000-2000 euro për nivelin e dytë, dhe 2000+ për nivelin e tretë”, ka treguar Veliu.

Çka është programimi?

Programimi është një proces kreativ që udhëzon një kompjuter se si të bëhet një detyrë.

Në programim ka dhjetëra gjuhë programuese dhe si më të njohura është “Java” dhe “Python” “Swift” “C” etj.

Tregu në këtë industri tejkalon kufijtë gjeografikë. Megjithatë, kompanitë që merren me programim janë të regjistruara si biznese dhe detyrohen t’i paguajnë të gjitha obligimet ndaj shtetit.

Po obligimet e shtetit ndaj komunitetit të teknologjisë?

Programerët shpesh kanë shprehur shqetësimet e tyre për shkak se Kosova nuk njihet nga shumë linqe të fushës.

Megjithatë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka premtuar mbështetje për inovacionin, duke përfshirë edhe programimin.

Më 21 prill të këtij viti, kreu i ekzekutivit mori pjesë në shënimin e Ditës Botërore të Inovacionit dhe Kreativitetit, organizim ky i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Aty Kurti kishte thënë se shteti duhet ta mbështesë inovacionit, por kreativiteti në inovacion buron nga poshtë, pra prej individit.

“Përderisa Qeveria mund të përkrahë inovacionin dhe të ndërtojë programe inovative, të krijojë bazën ligjore, dhe me ndihmën e miqve dhe partnerëve edhe të ndërtojë parqe innovative, vet inovacioni buron nga poshtë, nga vet njerëzit. Nga njerëzit që janë të motivuar të krijojnë, të ndërtojnë dhe të shesin idetë, produktet dhe shërbimet e tyre”, kishte thënë Kurti.

Kosova është vend me popullsi të re, por njëkohësisht edhe papunësia në mesin e tyre është e lartë.

Të ngjashme