Zanetti për Messin: Që në stërvitjen e parë u kuptua se do ta bënte të madhe Argjentinën

Prishtinë | 06 Tet 2026 | 09:23 | Nga Ekonomia Online

Lionel Messi do të luajë sonte ndeshjen e fundit me fanellën e Argjentinës.

Në prag të lamtumirës së yllit argjentinas, ish-kapiteni dhe zëvendëspresidenti i Interit, Javier Zanetti, i ka kujtuar momentet e para të Messit me kombëtaren.

“Mbaj mend se fliste pak, ishte ende shumë i ri, por gjithmonë ka qenë fenomenal. Në stërvitjen e parë e kuptove menjëherë se ishte ndryshe. Ishte e qartë se do ta bënte të madhe kombëtaren tonë”, tha Zanetti për “Gazzetta dello Sport“, përcjell “Gazeta Express”.

Zanetti e kujtoi edhe një ndeshje bamirësie të organizuar së bashku me Maxi Rodriguez në Rosario, ku rreth 40 mijë tifozë ishin mbledhur për ta parë Messin.

“Pas Diegos, po lindte një tjetër gjeni, sërish në vendin tonë. E pabesueshme!”, u shpreh ish-mbrojtësi argjentinas.

Zanetti theksoi se gjithmonë e ka pasur një marrëdhënie të mirë dhe respekt të ndërsjellë me Messin.

“Nuk kemi folur për këtë event special, sepse doja ta lija të qetë. Shpresoj që t’i përjetojë të gjitha emocionet që i meriton dhe ta marrë dashurinë e një populli të tërë”, përfundoi ai.

Të ngjashme