“Zbulimi” i ndërtesës 2 milionëshe të Rakiqit, Anti-Korrupsioni thotë se po merret me këtë rast

Prishtinë | 01 Nën 2022 | 14:29 | Nga Ekonomia Online

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) do ta trajtojë informatën se ministri për Komunitete dhe Kthim, kryetari i Listës Serbe Goran Rakiq, po e ndërton një objekt mbi 2 milionë euro në veri të vendit.

Aleksandar Arsenijeviq dhe Stefan Veljkoviq, aktivistë serbë nga iniciativa qytetare “Mbijetesa serbe” para një jave vizituan një parcelë prej 9,5 ari ku po ndërtohej një ndërtesë, për të cilën thanë se është e Rakiqit.

“Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit konfirmon se tashmë e ka pranuar informatën e cila do të trajtohet sipas afateve ligjore të përcaktuara me legjislacionin në fuqi”, thuhet në një përgjigje të APK-së për Gazetën Express.

Objekti në ndërtim e sipër, aktualisht shtatëkatësh, sipas dy aktivistëve serbë mund të vlejë mbi 2 milionë euro.

“Pyetjen ia kemi bërë edhe zotit Buleshkaj, drejtorit të Agjencisë Kundër Korrupsionit. Të gjithëve ua bëjmë pyetjen: kush e mbron ministrin Rakiq dhe nga kanë ardhur këto para për ndërtimin e objekteve të tilla? Nga paga apo diçka tjetër, le ta hetojnë organet kompetente”, ka thënë Arsenijeviq.

Rakiq nuk i është përgjigjur kërkesave për të komentuar rreth kësaj çështje.

Në janar, APK ka iniciuar një procedurë hetimi ndaj Rakiqit lidhur me deklarimin e rremë të pasurisë.

Përveç 50 mijë eurove që thotë se i mban në një bankë në Beograd, Rakiq ka deklaruar në APK se nuk posedon asgjë tjetër.

Në deklarimin e fundit të pasurisë, Rakiq ka deklaruar 9.50 ari tokë në vlerë prej 350,000 eurove, e cila thotë se është pronë e babait të tij. Përveç kësaj, ai ka deklaruar edhe tri banesa në vlerë prej 25 mijë, 30 mijë dhe 40 mijë eurosh, të cilat po ashtu ka thënë se janë të babait të tij.

Të ngjashme