Në kuadër të manifestimit tradicional “Lulëkuqet e Prillit”, u bë zbulimi i busteve të heronjve Metush Krasniqi dhe Sejdi Kryeziu.
Ceremonia u mbajt në oborrin e shkollave “Metush Krasniqi” dhe “Sejdi Kryeziu” në fshatin Roganë, në Kamenicë.
Në këtë ngjarje morën pjesë familjarë, përfaqësues institucionalë dhe qytetarë. Me këtë rast, vajza e Metush Krasniqit, Teuta, mbajti një fjalë rasti, duke theksuar se nuk dëshiron të flasë për krijimtarinë e babait të saj, pasi sipas saj nuk është zakon që fëmijët të flasin për veprën e prindërve.
Ajo ndau një kujtim personal nga jeta e saj, duke përmendur momentin e kthimit të babait nga burgu, një përjetim që, siç tha ajo, i ka mbetur i gjallë në kujtesë që nga fëmijëria.
Zbulimi i këtyre busteve u konsiderua një akt nderimi dhe kujtese për kontributin dhe sakrificën e dy heronjve në historinë kombëtare. /rtk