Ditë më parë është publikuar lista e 20 pjesëmarrësve të Festivalit të 58-të të Këngës në RTSH.
Arilena Ara, Olta Boka, Robert Berisha, Albërie Hadërgjonaj e Elvana Gjata janë ndër emrat që do të konkurrojnë këtë vit.
Tashmë duket se kanë filluar përgatitjet për këtë kompeticion muzikor, ndërsa sot (e hënë), janë zbuluar edhe datat se kur do të mbahet festivali.
Siç bëhet e ditur, në datat 19 dhe 20 dhjetor do të jenë dy netët e para të festivalit, të cilat do të kulmojnë në natën finale, në 22 dhjetor.
Këngët pjesëmarrëse në festival po ashtu do të vijnë për publikun online para netëve të festivalit dhe padyshim se do ketë supriza të shumta, e projekte mjaft të veçanta.
Producente e Festivalit të Këngës në RTSH këtë vit është Vera Grabocka, gjersa prezantuese Alketa Vejsiu.
Kujtojmë që vitin e kaluar, fituese në këtë festival u shpall Jonida Maliqi, e cila përfaqësoi sivjet Shqipërinë në “Eurovision”, në Tel Aviv të Izraelit, dhe u rendit e shtatëmbëdhjeta me radhë. /Telegrafi/