Zbulohet letra me përgjigjet e ShBA-së për Rusinë, ja ç’ofroi Uashingtoni

Prishtinë | 02 Shk 2022 | 15:41 | Nga Ekonomia Online

Gazeta e njohur spanjolle, “El Pais”, ka raportuar se ka siguruar dokumente konfidenciale, për të cilat tha se janë përgjigjet me shkrim të NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara për kërkesat e Rusisë rreth garancive të sigurisë.

“Shtetet e Bashkuara janë të gatshme që të diskutojnë masa reciproke për transparencë dhe zotime reciproke, të bazuara në kushte, nga Shtetet e Bashkuara dhe Rusia për t’u përmbajtur nga pozicionimi i sistemeve sulmuese raketore për lëshim nga toka dhe i forcave të përhershme me mision luftarak në territorin e Ukrainës”, thuhet në dokument, sipas një kopjeje të publikuar në uebfaqen e gazetës spanjolle.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre në NATO janë gjithashtu të gatshme që të diskutojnë për masa reciproke për shmangien e incidenteve serioze në ajër ose në det dhe për ta siguruar Moskën se nuk ka raketa “Tomahawk” të vendosura në Rumani dhe Poloni, thuhet në dokumentin e publikuar në këtë gazetë.

NATO-ja dhe Rusia i thanë agjencisë “Reuters” se nuk do të komentojnë për këtë çështje. Sidoqoftë, pozicionet e paraqitura në dokumente, të cilat zyrtarisht i janë dërguar Moskës më 26 janar, janë në përputhje me deklaratat publike të Uashingtonit dhe aleatëve të tij në të kaluarën, sidomos në aspektin e ofrimit të transparencës ushtarake.

Shtetet e Bashkuara gjithashtu kanë thënë për një kohë të gjatë se mburoja raketore evropiane e NATO-s në Rumani dhe një hapësirë tjetër e planifikuar në Poloni nuk do të shërbejnë si mbrojtje në të ardhmen kundër raketave ruse, por për t’u mbrojtur nga rreziqet nga Irani dhe nga pjesa më e gjerë e Lindjes së Mesme.

Në përgjigjen me shkrim, Shtetet e Bashkuara ofruan transparencë për dy qendrat e sistemeve raketore në Rumani e Poloni, nëse Rusia e ofron të njëjtën gjë për dy qendra në territorin rus.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme