Sot “Tifozat Kuq e Zi” festojnë 20-vjetorin e themelimit, ndërkohë që në “Air Albania” do të ketë surpriza dhe flamur gjigant para dhe gjatë ndeshjes Shqipëri-Ishujt Faroe.
Ardit Saliaj, anëtar i kryesisë së TKZ-së, foli për “SuperSport” në prag të kësaj ndeshjeje.
“Gjatë provave na janë plasur dy daulle. Ne kemi përgatitur një koreografi, sepse ne sot bëjmë 20 vite. 20 vite që frymojnë bashkim. Kemi edhe një mesazh, që prek plagën e ikjeve masive nga vendi. Na vjen keq që po ndodh ky lloj shpopullimi”, zbuloi ai.
“Kualifikimi? Në fillim ishte i paimagjinueshëm. Ishte ndër ëndrrat më të mëdha që të kishim kualifikimin në 20-vjetorin e TKZ-së”.
“Flamur gjigant sot në stadium? Është një surprizë, nuk doja ta zbuloja. Ka një koreografi gjithëpërfshirëse, do të jetë edhe një flamur shumë i madh përballë tribunës kryesore.
“Rrugëtimi ynë ka qenë shumë i vështirë, kemi patur peripeci, por kemi mbështetur Kombëtaren dhe këdo që lartëson flamurin shqiptar pa kushte, në borë dhe në shi”, u shpreh Saliaj.