Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka e ka gjetur shpejt ‘fajëtorin’ për hudhjen e 133 mijë e 234 vaksinave kundër koronavirusit, të cilave u doli afati pardje. Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu – Kamishi sipas tij ka faj që Kosovës i shkuan dëm këto vaksina të AstraZenecas.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dje në një konferencë për media, për mbajtjen e së cilës nuk u njoftuan shumica e mediave tregoi për skadimin e afatit të këtyre vaksinave, ndërsa Manxhuka sot ka shkruar se deputeti Haxhiu i ka shtyer njerëzit që të mos i shfrytëzojnë ato.
“Vaksinave qe dje u doli afati e u asgjesuan, per te njejtat Bekim Haxhiu-Kamishi pati thene se u skadon afati ne qershor dhe keto deklaratat jane publike. Pra, genjeshtra te tilla ne Kuvendin e Kosoves dhe jashte kane bere qe njerezit te hamendesohen dhe vaksinat te mos shfrytezohen”, shkroi ai në Facebook.
Kosova është duke u përballur me një rezultat tragjik të mosmenaxhimit të duhur të pandemisë. Numri i të vdekurve brenda ditës vazhdon të jetë i lartë, ndërsa të dielën arriti kulmin me 36 viktima.
Rezultat i verës pa asnjë kufizim në Kosovë janë edhe spitalet e mbushura me pacientë që nuk po mund të marrin frymë sa duhet. Që një i infektuar të shtrihet në spital, duhet të ketë fat në mos lirohet ndonjë vend, përveçse imunitetin e nevojshëm për të mbërritur gjallë deri atje.
Ndërsa varianti Delta i koronavirusit, për të cilin kishte paralajmëruar e gjithë bota, ka gjetur terren ideal në vendin e vogël të Ballkanit, Universiteti “John Hopkins” ka nxjerrë disa statistika që tregojnë se Kosova ka dështuar në menaxhimin e pandemisë dhe në vaksinimin e popullsisë.
Grafikat e publikuara nga ky Universitet paraqesin numrin e rasteve të konfirmuara me Covid-19. Me mbi 12 mijë të infektuar për periudhën nga 3 deri më 28 gusht, statistikat tregojnë se Kosova radhitet e para me më së shumti raste të reja.
Edhe për numrin e viktimave të regjistruara gjatë kësaj kohe, Kosova është e para me mbi 70 viktima, duke lënë pas Spanjën, Francën, Anglinë e Italinë.
Gazeta e njohur zvicerane, SonntagsZeitung ka shkruar të shtunën se si Zvicra ia pa sherrin Kosovës me rritjen e rasteve të reja me koronavirus. Në një artikull të gjatë, kjo gazetë shpjegoi se si shpërtheu vala e radhës e Covid-19 në Kosovë gjatë verës dhe se si u gjend e papërgatitur Zvicra për mërgimtarët që u kthyen atje pas një pushimi pa asnjë kufizim në Kosovë.
Në spitalet zvicerane, të kthyerit nga Kosova aktualisht përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të pacientëve me koronavirus, siç shpjegoi të martën grupi punues federal i koronavirusit.
Pas keqmenaxhimit fatal, Qeveria deri më tani nuk ka qenë në gjendje ta ngadalësojë rritjen eksponenciale të rasteve të reja me koronavirus, dhe rrjedhimisht rritjen e frikshme të numrit të viktimave. Ministri Vitia tashmë ka hequr dorë nga kjo përpjekje, duke synuar të bëhet kryetar i Prishtinës.