Zëdhënësi i Vetëvendosjes, Përparim Kryeziu, ka thënë se Albin Kurti e Albulena Haxhiu nuk kanë qenë objekt i shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese dhe se nuk janë të dënuar me burgim, prandaj thotë se s’ka ndalesë për të qenë pjesë e garës në zgjedhjet e jashtëzakonshme.
“Ne i jemi drejtuar Gjykatës Kushtetuese me një rast dhe çështje specifike. Kemi kërkuar mendimin e saj për pretendimin tonë se Qeveria Hoti është e jashtëligjshme duke qenë se ajo ishte formuar me votën e z.Etem Arifi, i cili, sipas nesh, nuk kishte mandat deputeti sepse paraprakisht ishte i dënuar për një vepër penale me burgim për më shumë se një (1) vit. Gjykata, në këtë rast, ka mundur të bëjë dy gjëra; ta konfirmoj pretendimin tonë apo ta hedhë poshtë”, ka shkruar Kryeziu.
“Ajo e ka konfirmuar pretendimin tonë, duke thënë se z.Etem Arifi nuk kishte mandat të deputetit sepse ishte i dënuar me burgim, prandaj edhe qeveria, me votën të cilit ishte formuar, është e jashtëligjshme. Nga ky moment, e ka bërë të qartë se tash e tutje një individ i dënuar me burgim për më shumë se një (1) vjet në tre (3) vjetët e fundit, nuk mund të jetë deputet. Kaq! Pra, përpos shpalljes së Qeverisë si jokushtetuese, ky ka qenë rezultati tjetër nga objekti i shqyrtimit që e ka pasur Gjykata Kushtetuese. Lëvizja VETËVENDOSJE!, Albin Kurti e Albulena Haxhiu nuk kanë qenë objekt i shqyrtimit. Për më tepër ata nuk janë të dënuar me burgim. Prandaj, në këtë aktgjykim nuk kanë ndalesë për të qenë pjesë listës dhe garës zgjedhore”.
Kryeziu i ka quajtur zgjedhjet referendum dhe është shprehur i bindur se shefi i tij i partisë do të jetë edhe shef shteti.
“Shihemi më 14 shkurt, në referendum, për qeverisje të mirë, me Albin Kurtin kryeministër”.