Kryeshefi i Agjencionit Pyjor të Kosovës, Ahmet Zejnullahu ka thënë se mbrojtja e pyjeve mbetet një sfidë.
Sipas tij, komunat ku më së shumti ka dëmtime të pyjeve janë: Deçani, Podujeva dhe Mitrovica.
Zejnullahu ka treguar se dëmtime të pyjeve ka edhe në pjesën veriore të vendit.
“Dëmtime të pyjeve ka në të gjithë territorin e Kosovës, por tek pyjet e larta me një rëndësi më të madhe ekonomike i kemi pyjet e Deçanit, regjionin e Podujeve, regjionin e Mitrovicës. Por gjendja më e mirë është në regjionin e Gjilanit, ndoshta prerja më e kontrolluar dhe ligjore është në pjesën e Dragashit”, tha ai, duke shtuar se dëmtimi i pyjeve në Deçan është për shkaka se druri përdorët në ndërtimtari dhe përfitimet janë më të mëdha.
Kryeshefi i Agjencionit Pyjor të Kosovës, Ahmet Zejnullahu ka kritikuar disa vendime të cilat merren në Qeveri, duke thënë se aty shikohen interesat e ministrive.
“Me ndalimin e përdorimit të thëngjillit, rriten kërkesat për shfrytëzimin e drurit si lëndë djegëse. Dëmet janë të mëdha, e sasia e masës drunore e cila shfrytëzohet kërkon kohë që të krijohet. Vendimi i cili ndalon shfrytëzimin e thëngjillit për ngrohje krijon probleme dhe kërkesa për shfrytëzimin e pyjeve për ngrohje”, tha Zejnullahu.
Ai ka thënë se kalimi i përgjegjësisë për mbrojtjen e pyjeve nga Agjencioni Pyjor i Kosovës, te komunat, nuk ka përmirësuar gjendjen.
Ndryshe, Kosova ka 44.57 për qind të territorit me pyje, pjesë tyre 60 për qind janë pyje shtetërore, ndërsa 40 për qind janë pyje private.