Zelanda e Re ngre pagën minimale në 20 dollarë orën, taksën për të pasurit në 39%

Prishtinë | 31 Mar 2021 | 08:42 | Nga Ekonomia Online

Zelanda e Re do ta ngrejë pagën minimale në 20 dollarë për orë dhe do ta shtojë taksën për njerëzit më të pasur të vendit në 39 për qind.

Këto ndryshime do të hyjnë në fuqi të enjten, bashkë me një rritje të vogël të përfitimeve edhe për personat e papunë dhe për ata që sëmuren. Qeveria vlerëson se rritja e pagës minimale do të ndikojë te 175 mijë punëtorë dhe pagat në tërë ekonominë do të rriten për 216 milionë dollarë.

Taksa e re për personat e pasur do të vlejë për të gjithë ata që fitojnë më shumë se 180 mijë dollarë në vit. Në këtë grup futet rreth 2 për qind e popullsisë së shtetit të largët. Qeveria vlerëson se kjo taksë do t’i sjellë vendit 550 milionë dollarë shtesë në të hyra vetëm këtë vit.

Sipas disa statistikave, paga minimale e Zelandës së Re edhe më herët ka qenë në mesin e pesë pagave minimale më të larta në botë, shkruan The Guardian.

Duke folur për ndryshimet e reja këtë javë, kryeministrja Jacinda Ardern tha se ato përmbushin një premtim parazgjedhor dhe paraqesin përmirësim të vërtetë për përkrahjen që qeveria ua ofron personave më të rrezikuar.

“Ende ka shumë për të bërë, përfshirë ndërtimin e më shumë shtëpive, përmirësimin e sistemit tonë shëndetësor, investimin në edukim, trajnim dhe vende pune”, deklaroi Ardern.

Qeveria e saj disa herë e ka ngritur pagën minimale gjatë katër vjetëve. Nga viti 2017, paga minimale është ngritur për 4.25 dollarë në orë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme